Kamenicë: Miratohen të gjitha pikat në mbledhjen e tretë të Komitetit për Politikë dhe Financa
Në Kamenicë është mbajtur sot mbledhja e tretë e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) të kësaj legjislature të Kuvendit Komunal, ku janë shqyrtuar dhe miratuar një sërë pikash me rëndësi për funksionimin e komunës.
Mbledhja është kryesuar nga Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Arbnore Beqiraj-Fera, e cila prezantoi rendin e ditës dhe propozimet për shqyrtim para anëtarëve të komitetit.
Fillimisht, anëtarët e KPF-së kanë miratuar procesverbalin nga mbledhja e dytë, ndërsa më pas është shqyrtuar raporti financiar buxhetor i Komunës së Kamenicës për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2025.
Në këtë mbledhje janë trajtuar edhe disa propozim-vendime të rëndësishme, përfshirë formimin e komisionit për inicimin dhe zhvillimin e procedurave për ndryshimin e stemës së komunës, si dhe themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).
Po ashtu, janë shqyrtuar edhe propozime për shpallje në interes të përgjithshëm publik, si dhe çështje të tjera të ndryshme në kuadër të kompetencave të këtij komiteti.
Para miratimit të rendit të ditës, kryesuesja Beqiraj-Fera propozoi shtimin e dy pikave të reja, që kanë të bëjnë me miratimin e raporteve të Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe të tjera, si dhe një tjetër propozim për shpallje në interes të përgjithshëm publik.
Të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe ato të shtuara, janë miratuar unanimisht nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa. /2LONLINE/
