Sot në Kamenicë është mbajtur ceremonia e betimit të vullnetarëve të grupit të nëntë të Peace Corps. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Jeffrey Hovenier.
Misioni i vullnetarëve të “Peace Corps” është të promovojnë paqen dhe miqësinë në secilin vend ku kontribuojnë… Edhe dhjetë vullnetarët që janë betuar sot, do ta kenë qëllim te asaj që ata kanë mësuar tash e dhjetë javë, për gjuhë, kulturë dhe trajnim profesional, përgjatë qëndrimit të tyre në Kamenicë.
“Sot është një ditë shumë e veçantë sepse unë kam nderin që të administroj betimin e grupit të nëntë të vullnetarëve në Kosovë. Për herë të parë po e bëjmë këtë në Kamenicë ku Korpusi i Paqes ka filluar programin e tij. Kryetar i Komunës, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiroj të shpreh mirënjohjen time ndaj jush…. Të gjithë jemi të mahnitur me mikpritjen dhe mirënjohjen e njerëzve këtu, andaj dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe të falënderoj disa grupe të njerëzve….”, ka thënë ambasadori Hovenier.
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj ka përshëndetur dhe falënderuar vullnetarët për kontributin e dhënë, duke thënë se ajo çfarë ata po bëjnë, është një mesazh dhe rrugë të cilën duhet ta ndjekin edhe gjeneratat e reja në Kosovë.
“Më shumë se 200 vullnetarë që nga viti 2014 kanë qenë në Kamenicë, dhe për të qenë modest po them shumica prej tyre janë ndarë me përshtypjet më të mira, andaj premtoj që as për këtë grup vullnetarësh të mos ketë përjashtim”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
Kurse Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci ka thënë se misone të tilla duhet të përshëndeten nga të gjithë, dhe se vullnetarët e Peace Corps do të mirëpriten sa herë që ata do të vijnë në Kosovë.
Ceremonia në fjalë është mbajtur për herë të parë në Kamenicë, që nga viti 2014 kur edhe ka nisur ky mision. /2LONLINE/