Kamenica pjesë e konferencës promovuese për potencialet e Anamoravës
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Diasporë, Edon Dërmaku, kanë pritur në takim Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, së bashku me stafin e tij.
Gjatë takimit është diskutuar pjesëmarrja e Komunës së Kamenicës në një konferencë promovuese, e cila do të organizohet së bashku me komunat e tjera të Anamoravës, me qëllim të promovimit të potencialeve, projekteve dhe mundësive për investime në këtë rajon.
Kryetari Kadri Rahimaj ka falënderuar Kryetarin e Odës Ekonomike, Lulzim Rafuna, për këtë iniciativë, duke e vlerësuar atë si një mundësi të mirë për promovimin e aseteve dhe projekteve të Komunës së Kamenicës.
“Ju falënderoj për këtë iniciativë dhe mendoj se është tejet e qëlluar, sidomos kur vjen nga institucionet. Mendoj që komunat e vogla kanë shumë gjëra për të treguar, e edhe ne si Komunë kemi mjaft gjëra që mund t’i promovojmë në këtë konferencë. Ne mund të paraqesim shumë projekte të cilat i kemi të zhvilluara, si dhe në procedurë e sipër, por edhe shumë master-plane dhe studime fizibiliteti që mund t’i hyjnë dikujt në punë. Kemi Liqenin e Busavatës, Parkun e Aventurave, Stadiumin e Atletikës, Bahçen, ku aty ne kemi një master-plan se si do të zhvillohet ajo pjesë, studim fizibiliteti për shtigjet malore për ecje. Pra, janë disa potenciale në Kamenicë që duhet promovuar diku”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Ndërsa, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e ka vlerësuar konferencën si një ngjarje të rëndësishme, e cila po organizohet në bashkëpunim me Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai ka theksuar se synimi është që pas konferencës të publikohet një botim i veçantë për potencialet e komunave të Anamoravës.
“Kryetar, ju falënderoj për bashkëpunimin dhe besoj se pjesëmarrja juaj nga Kamenica e pasuron edhe më shumë këtë konferencë. Vendet e Anamoravës kanë shumë potencial dhe kjo gjë duhet promovuar te të tjerët, por edhe në vendet e huaja, në mënyrë që të tërhiqen investitorët këtu. Në fund të konferencës pretendojmë të dalim me një botim për të gjitha këto dhe kjo do të ishte mjaft e mirë që të gjithë ta njohin këtë anë”, ka thënë ai.
Në fund të takimit, palët u dakorduan që të mbesin në kontakt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin lidhur me pjesëmarrjen e Komunës së Kamenicës në këtë konferencë. /2LONLINE/
