Kamenica përfundon fushatën vetëdijësuese kundër trafikimit me qenie njerëzore
Njësia Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ), në kuadër të Drejtorisë së Administratës, nën koordinimin e Nazmije Demolli Kastrati, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit, Stacionin Policor në Kamenicë dhe OJQ-në “Dardana Press”, ka përmbyllur me sukses fushatën vetëdijësuese kundër trafikimit me qenie njerëzore.
Fushata, e realizuar nga 18 tetori deri më 18 nëntor 2026, është zhvilluar nën sloganin “MOS HESHT”, me mesazhin “TRAFIKIMI PREK TË GJITHË! TA MBROJMË VETEN DHE FËMIJËT TANË!”
Gjatë kësaj periudhe janë organizuar sesione informuese me nxënës në institucionet shkollore, bashkëbisedime me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, si dhe shpërndarje e materialeve ndërgjegjësuese në shkolla, fshatra dhe hapësira publike të Komunës së Kamenicës.
Qëllimi i fushatës ishte ngritja e vetëdijes qytetare për format, rreziqet dhe pasojat e trafikimit me qenie njerëzore, si dhe për rëndësinë e parandalimit dhe raportimit të rasteve të dyshimta.
Angazhimi dhe puna e realizuar nga Komuna e Kamenicës gjatë kësaj fushate janë vlerësuar lart edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Përmes një letre falënderimi, zyrtarja e lartë për të Drejtat e Njeriut në Komuna, Luljeta Ibishi Ferizi, ka përgëzuar Komunën e Kamenicës për organizimin, koordinimin institucional dhe dokumentimin e aktiviteteve, duke e cilësuar raportin e komunës si një shembull shumë të mirë të punës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në vlerësimin e saj, MAPL-ja ka veçuar angazhimin, seriozitetin dhe përkushtimin e treguar nga koordinatorja Nazmije Demolli Kastrati gjatë gjithë fushatës njëmujore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet arsimore, Policinë e Kosovës, organizatat e shoqërisë civile dhe komunitetin.
Po ashtu, është vlerësuar shtrirja e gjerë e aktiviteteve në shkolla, lokalitete të ndryshme dhe hapësira publike, duke përfshirë nxënës, të rinj dhe qytetarë të grupmoshave të ndryshme. Sipas MAPL-së, kjo qasje ka kontribuar që fushata të jetë më e dukshme, gjithëpërfshirëse dhe më afër qytetarëve.
Ky vlerësim nga niveli qendror përbën një motivim të rëndësishëm për vazhdimin e angazhimit të Komunës së Kamenicës në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe në fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati, falënderon të gjithë partnerët institucionalë dhe bashkëpunëtorët, në veçanti Drejtorinë Komunale të Arsimit, Stacionin Policor në Kamenicë, OJQ-në “Dardana Press” dhe zyrtaren Luljeta Ibishi Ferizi nga Divizioni për Avancimin e të Drejtave të Njeriut në Komuna pranë MAPL-së, për mbështetjen dhe kontributin e dhënë në realizimin e kësaj fushate.
Komuna e Kamenicës dhe NJKDNJ mbeten të përkushtuara në vazhdimin e aktiviteteve parandaluese dhe vetëdijësuese gjatë gjithë vitit, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë qytetarët. /2LONLINE/
