Kamenica në kërkim të Stemës së re, fituesi i konkursit do të shpërblehet me 5 mijë euro
Komuna e Kamenicës ka shpallur zyrtarisht thirrjen publike për dizajnimin e Stemës së re komunale, duke ftuar krijues të interesuar që të kontribuojnë në krijimin e identitetit të ri vizual të komunës. Në këtë konkurs mund të marrin pjesë persona fizikë dhe juridikë, rezidentë dhe jorezidentë të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit të komunës, propozimet duhet të jenë origjinale dhe kreative, duke reflektuar vlerat historike, kulturore dhe natyrore të Kamenicës. Po ashtu, punimet duhet të jenë në përputhje me standardet heraldike dhe të aplikueshme në dokumente fizike dhe elektronike.
Komuna ka paraparë edhe shpërblime financiare për punimet më të mira. Fituesi i vendit të parë do të shpërblehet me 5 mijë euro, ndërsa vendi i dytë me 1 mijë euro.
Aplikantët kanë të drejtë të konkurrojnë me deri në tri propozime. Çdo punim duhet të dorëzohet i koduar për të ruajtur anonimitetin dhe të përmbajë variantin me ngjyra dhe bardh-zi në format A4, shpjegimin e simboleve dhe ngjyrave të përdorura, si dhe shembuj të përdorimit të stemës në materiale zyrtare si memorandume, zarfe dhe kartëvizita.
Në një zarf të veçantë duhet të përfshihen të dhënat personale të autorit dhe deklarata mbi origjinalitetin e punimit.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 60 ditë nga data e publikimit të thirrjes, përkatësisht deri më 12 korrik 2026. Punimet duhet të dorëzohen në adresën e Komunës së Kamenicës, në rrugën “Skënderbeu”. /2LONLINE/
