Kamenica në BEYOND 2026, pjesë e diskutimeve për zhvillimin e qyteteve përmes kulturës dhe inovacionit
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Selami Klaiqi, kanë marrë pjesë në një program dyditor të shkëmbimit të përvojave ndërmjet kryetarëve të komunave të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve lokalë britanikë. Programi u zhvillua në kuadër të konferencës ndërkombëtare “BEYOND 2026”, të organizuar nga British Council në bashkëpunim me BEYOND Studio.
Kryetari Rahimaj është i vetmi kryetar komune nga Republika e Kosovës në delegacion, që përfaqësoi Kamenicën në takimet institucionale në Salford, Manchester dhe Liverpool. Në Salford, delegacioni u takua me kryetarin Paul Dennett, i cili ndau përvojën e qytetit në zhvillimin ekonomik lokal, rigjenerimin urban dhe krijimin e mundësive për qytetarët përmes industrive kreative.
Në Liverpool, delegacioni u prit nga William Shortall, Lord Mayor i qytetit. Pjesëmarrësit u njohën me rolin e kulturës, trashëgimisë dhe turizmit në transformimin e hapësirave urbane dhe në zhvillimin ekonomik të Liverpoolit, i shpallur Kryeqytet Evropian i Kulturës në vitin 2008. Programi përfshiu gjithashtu njohjen me modelin e MediaCity në zonën e Manchesterit.
“Falënderoi British Council për ftesën dhe mundësinë për të përfaqësuar Kamenicën në konferencë. Këto përvoja dëshmojnë se kultura nuk është vetëm pjesë e identitetit të një qyteti, por mund të shndërrohet edhe në një forcë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Për Komunën e Kamenicës, vizita ofroi mundësi për të krijuar kontakte ndërkombëtare, për të shkëmbyer praktika të mira dhe për të shqyrtuar bashkëpunime në kulturë, turizëm, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal. /2LONLINE/
