Kamenica në bashkëpunim me OJQ “NOPM” shpërblen nxënësit fitues të garës me ese

Kamenica në bashkëpunim me OJQ “NOPM” shpërblen nxënësit fitues të garës me ese

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare “Network of Peace Movement (NOPM)”, si pjesë e projektit “Promovimi i dialogut ndër-etnik dhe rritja e vetëdijesimit mbi të drejtat e njeriut dhe barazisë gjinore”, ka bërë ndarjen e shpërblimeve për esetë fituese, në kuadër të garës për esenë më të mirë me temën “Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore”.

Gjatë ceremonisë së dhënies së shpërblimeve të pranishëm ishin nënkryetari për komunitete, Bojan Stamenkovic, dhe u.d drejtoresha e Drejtorisë për Arsim, Mirhane Morina. Ndërsa nxënësit fitues të cilët u shpërblyen janë Besart Abazi nga ShFMU “Fan Noli” në Kamenicë, Ana Stamenkovic nga ShFMU “Desanka Maksimovic” në Kamenicë, dhe Medina Bojku nga ShFMU “17 Shkurti” Muqivërcë.

Nënkryetari për komunitete, Bojan Stamenkovic, tha se tema të tilla janë të duhura për të gjithë përfshirë edhe këta nxënës.

“Të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore është një temë që secilin e prek. I falenderoj nxënësit që kanë marr pjesë dhe kanë treguar aftësitë e tyre lidhur me këtë temë”, ka thënë ai.

U.d drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Mirhane Morina, tha se me aktivitete të tilla nxënësit zgjerojnë edhe më shumë njohuritë e tyre.

“Nxënësit e komunës sonë çdoherë kanë shprehur talentin e tyre në aktivitete të ndryshme. Edhe kësaj radhe ata treguan se të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore është kusht themelor për një bashkjetesë më të mirë”, ka thënë ajo.

Ndërsa organizata “NOPM” ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe ka uruar nxënësit fitues, duke i dhe inkurajuar që të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla.

Kjo organizatë gjatë muajit prill ka hapur konkursin për ese, ku pjesëmarrës kanë qenë disa shkolla të komunës së Kamenicës, duke përfshirë edhe shkollat nga komunitetet jo shumicë. Pas pranimit të punimeve të nxënësve, përmes një komisioni profesional është bërë përzgjedhja e eseve më të mira të cilat janë publikuar në broshura që do t’u shpërndahen nxënësve dhe shkollave pjesëmarrëse. Në mesin e punimeve qe janë botuar, janë zgjedhur edhe tri esetë fituese të cilat janë shpërblyer me një dhuratë simbolike.

KOMENTE