(2LONLINE) – Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bernard Nikaj, ka pritur në takim nënkryetarin e Komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi, i shoqëruar nga drejtori i Ekonomisë, Zhvillimit dhe Diasporës, Fatmir Krasniqi.
Qëllimi i takimit ishte informimi më i drejtë rreth projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për ndarjen e granteve për ndërmarrjet të Vogla dhe të Mesme. Ministri Nikaj me këtë rast ka ftuar udhëheqjen komunale të Kamenicës të inkurajuar të gjitha ndërmarrjet e komunës së Kamenicës që të aplikojnë në këtë projekt.
“Objektivi kryesor i këtij projekti është të kontribuohet në fuqizimin e ekonomisë lokale dhe në zvogëlimin e deficitit tregtar në Kosovë. Me këtë synohet të përmirësohet kështu kapacitetet prodhuese të ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM-ve) në mënyrë sa me efikase dhe të qëndrueshme, sipas standardeve të Bashkimit Evropian (BE).
Projekti ka një buxhet prej 4 milionë eurosh andaj do kërkoja nga ju që të inkurajoni bizneset e komunës suaj që të aplikojnë në këtë projekt”, ka thënë ministri Nikaj.
Gjatë takimit janë diskutar edhe një varg cështjesh të tjera që ndikojnë drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të komunës.
Nënkryetari i Kamenicës, Fatmir Matoshi, ka falënderuar ministrin Nikaj për angazhimin e tij për tu dalë në mbështetje ndërmarrjeve të vogla të mesme dhe mikro duke ftuar kështu për aplikim me projekte sa më të mira dhe të jenë përfituese të këtij fondi.
“Ju ftoj që në ditët në vijim të organizojmë së bashku një takim me ndërmarrësit e Kamenicës me qëllim që ata të kenë informata të plota për mundësinë e përfitimit nga ky projekt në mënyrë që bizneset e Kamenicës të jenë më aktive dhe të gjenerojnë vende të reja pune” tha nënkryetari Matoshi.
Drejtori i Ekonomisë, Zhvillimit dhe Diasporës Fatmir Krasniqi e ka njoftuar ministrin Nikaj me gjendjen e përgjithshme të bizneseve nga Kamenica dhe ka kërkuar nga MTI që ta mbështes komunën e Kamenicës në ndërtimin e një parku industrial. Kjo kërkesë është pranuar nga ministri Nikaj i cili ka premtuar se do ta mbështes këtë ide me të gjitha kapacitetet që ka MTI./2lonline/