Në bazë të propozimit të Drejtorisë së Ekonomisë, Zhvillimit dhe Diasporës është marr vendimi në Kuvendin Komunal për themelimin e Zonës Ekonomike – Park Industrial në trekëndëshin Topanicë – Domoroc – Hodonoc, tha nënkryetari i komunës Fatmir Matoshi.
Sipas tij, pas marrjes së këtij vendimi do të aplikohet për fonde për studimin e fizibilitetit dhe për pëlqimet e nevojshme nga ministritë përkatëse, si dhe për fonde për rregullimin e infrastrukturës tek Zona Ekonomike, me qëllim që ajo të jetë në dispozicion të gjithë investitorëve serioz të cilët mund të zhvillojnë veprimtari prodhuese të cilat krijojnë vende të reja të punës.
“Për këtë vendim falënderoj për angazhim kryetarin Begzad Sinani, Drejtorin Fatmir Krasniqi dhe gjithë asamblistët e të gjitha subjekteve politike në Kuvend për mbështetjen që i dhanë. Ky vendim i marrë është në përputhje me planin zhvillimor komunal i cili po ashtu u aprovua në mbledhjen e fundit dhe është një dokument mjaft i rëndësishëm për Komunën përkundër faktit se shumë zona të përshtatshme për zhvillimin e ekonomisë janë paraparë për destinime të tjera siç është rasti i fushës së Novosellës e cila në vend se të dedikohej për zhvillim ekonomik është paraparë për terrene sportive”, tha Matoshi.