Kamenica bëhet rezidencë e filmit, LAND FILM LAB duke sjell kineastë nga vende të ndryshme të botës
Kamenica po bëhet për herë të parë një hapësirë e dedikuar për zhvillimin e projekteve filmike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kinematografisë, përmes LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking.
Komuna e Kamenicës, si partnere e këtij projekti, po mbështet realizimin e rezidencës filmike, e cila po zhvillohet nga 7 deri më 11 shtator 2026, në Roganë, Kamenicë dhe Krenidell.
Programi ka sjellë në Kamenicë regjisorë, skenaristë, mentorë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga vende të ndryshme, duke e shndërruar komunën për pesë ditë në një hapësirë të krijimtarisë, zhvillimit profesional, shkëmbimit të ideve dhe rrjetëzimit.
Nata hapëse e filmit u mbajt mbrëmë në një ambient të veçantë dhe të ngrohtë, në shtëpinë muze të familjes së themeluesit të LAND FILM LAB, Durim Kryeziu, një hapësirë me rëndësi të veçantë historike dhe familjare.
Kjo shtëpi, e cila ndër vite është ruajtur si pjesë e kujtesës dhe historisë së vendit, dikur ka qenë hapësirë ku janë mbledhur veprimtarë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, ndërsa sot i ka hapur dyert një brezi të ri krijuesish, regjisorëve, skenaristëve dhe artistëve.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, drejtorët komunal, bashkëpunëtorë të projektit, regjisorë, skenaristë, aktorë, profesionistë të industrisë së filmit dhe të ftuar të tjerë.
Gjatë mbrëmjes u prezantuan pjesëmarrësit e këtij edicioni, të cilët për pesë ditë do të punojnë në zhvillimin e projekteve të tyre filmike në Kamenicë.
Pjesëmarrësit janë:
Hussen Ibraheem – Gjermani
Odeta Cunaj – Shqipëri
Marcos Mereles – Britani e Madhe
Zin Atas – Turqi
Elvira Kozhani – Kosovë
Po ashtu, pesë kineastët do të qëndrojnë në kompleksin “Vilat në Katun” në Roganë, ku do të kenë mundësi të punojnë në një ambient të qetë dhe të rrethuar me natyrë.
LAND FILM LAB është krijuar për të mbështetur regjisorët dhe skenaristët në zhvillimin e projekteve të tyre, nga ideja dhe sinopsisi, drejt skenarit dhe hapave të parë të realizimit.
Ky organizim ka pasur interesim të lartë ku për edicionin e parë, organizatorët kanë pranuar 138 aplikime nga regjisorë dhe skenaristë nga vende të ndryshme të botës, ndërsa pas procesit të përzgjedhjes janë zgjedhur pesë projekte për të qenë pjesë e edicionit. Gjatë qëndrimit në Kamenicë, pjesëmarrësit do të përfitojnë nga mentorimi profesional, prezantimet, diskutimet, takimet me profesionistë të industrisë dhe aktivitetet e rrjetëzimit.
Qëllimi është që projektet e tyre të zhvillohen më tej dhe të krijohen mundësi konkrete për bashkëpunim dhe realizim të tyre në të ardhmen.
Pjesë e LAND FILM LAB janë edhe dy mentorë kryesorë të këtij edicioni, regjisorët Sahim Omar Kalifa dhe Andamion Murataj, të cilët do të kontribuojnë me përvojën dhe ekspertizën e tyre në zhvillimin e projekteve të pjesëmarrësve.
Në kuadër të programit “Meet the Filmmakers: Stories Behind the Films”, këtë vit do të mirëpriten edhe dy regjisorë me përvojë dhe kontribut të rëndësishëm në kinematografi, Besim Ugzmajli dhe regjisorja nga Maqedonia e Veriut, Marija Apcevska.
Përveç punës profesionale të pjesëmarrësve, programi përfshinë edhe projektime filmash në ambiente të hapura, duke krijuar mundësi që arti i filmit të jetë më pranë qytetarëve dhe komunitetit.
Në përmbyllje të këtij organizimi, LAND FILM LAB do të ndajë dy çmime kryesore.Çmimi për Skenarin më të Mirë, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, në vlerë prej 1,500 euro.
Ndërsa Çmimi i Bashkëprodhimit – Co-Production Award ka një vlerë totale prej 20,000 euro në shërbime profesionale, të ofruara nga kompani dhe profesionistë të industrisë së filmit për mbështetjen e realizimit të filmit.
Projektet filmike në këtë edicion do të vlerësohen nga juria e cila përbëhet nga:
Mirjeta Baraliu, udhëheqëse e Departamentit të Filmit dhe Serialeve në RTK dhe ligjëruese;
Esat Fejza, regjisor;
Bardhyl Bejtullahu, producent.
Në fjalën e tij në ceremoninë hapëse, Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, tha se për Komunën kjo nismë përfaqëson shumë më tepër sesa një aktivitet kulturor.
Ai theksoi se ideja e LAND FILM LAB fillimisht ishte prezantuar si një vizion për krijimin e një hapësire ku njerëzit e filmit do të mund të mblidheshin, të bashkëpunonin, të ndanin përvojat dhe të krijonin.
“Sot nuk po flasim më për një ide. Jemi këtu, në ditën e parë të këtyre pesë ditëve, ku Kamenica bëhet rezidencë për ju, për historitë tuaja, për skenarët tuaj, për idetë dhe krijimet që shpresojmë të marrin jetë pikërisht nga kjo hapësirë”, u shpreh Rahimaj.
Sipas tij, rëndësia e kësaj nisme qëndron edhe në faktin se Rogana, Kamenica dhe Krenidelli nuk do të jenë vetëm vende që pjesëmarrësit do t’i vizitojnë, por do të bëhen pjesë e procesit të tyre krijues.
“Kultura duhet të jetë diçka që e krijojmë bashkë”, tha Rahimaj, duke theksuar se Komuna e Kamenicës synon të jetë një hapësirë ku artistët, regjisorët, skenaristët dhe njerëzit e kulturës janë të mirëpritur dhe ku mund të zhvillojnë idetë e tyre.
Po ashtu Kryetari Rahimaj falënderoi themeluesin e LAND FILM LAB, Durim Kryeziu, për këmbënguljen dhe punën për ta shndërruar këtë ide në realitet, ndërsa pjesëmarrësve u uroi suksese në zhvillimin e projekteve të tyre.
Fjalë rasti, pati po ashtu edhe themeluesi Durim Kryeziu i cili ka falenderuar Kryetarin Rahimaj për mikpritjen dhe kontributin e Komunës në këtë organizim. Ai ka treguar më shumë edhe për idenë, vizionin dhe arsyen pse u krijua LAND FILM LAB.
Përmes mbështetjes së LAND FILM LAB, Komuna e Kamenicës synon të kontribuojë në zhvillimin e jetës kulturore, promovimin e potencialeve të komunës dhe krijimin e hapësirave të reja për bashkëpunim mes artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kjo ngjarje paraqet një mundësi të re për ta pozicionuar Kamenicën jo vetëm si një destinacion me potencial kulturor e turistik, por edhe si një hapësirë ku krijohen dhe zhvillohen ide artistike.
Për pesë ditë, Kamenica do të jetë vendtakim i kineastëve dhe profesionistëve të filmit, ndërsa projektet që po zhvillohen këtu synojnë të jenë dëshmi e një bashkëpunimi që nis në Kamenicë dhe mund të vazhdojë në skenat e kinematografisë vendore dhe ndërkombëtare. /2LONLINE/
