DYLON

Kamberi: Në procedurë parlamentare dorëzova rezolutën për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës

Kamberi: Në procedurë parlamentare dorëzova rezolutën për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës
Avatar photo Redaksia

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar rezolutë për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Kamberi në një postim në Facebook ka thënë se Rezoluta ka për qëllim që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.

EkoHigjiena

Ja postimi i tij i plotë:

Në procedurë parlamentare, sot, dorëzova REZOLUTËN PËR POZITËN E SHQIPTARËVE NË LUGINË TË PRESHEVËS.

Rezoluta ka për qëllim që Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë të njohë dhe pranojë pozitën diskriminuese me kërkesën për shprehjen e përkushtimit institucional për përmirësimin e pozitës së komunitetit shqiptar në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare dhe obligimet që sjell procesi i integrimit në BE dhe legjislacionin e brendshëm.

Nevoja për këtë Rezolutë lind nga një gjendje e gjatë e mospërfilljes së kërkesave dhe të drejtave të shqiptarëve në këtë rajon, gjë që ka sjellë pasoja të rënda në jetën shoqërore dhe politike të komunitetit.

Ndër problemet më të theksuara janë: praktika e pasivizimit të adresave arbitrar, mosnjohja e diplomave nga Republika e Kosovës, mungesa e përfaqësimit të drejtë e proporcional në institucione shtetërore, pengesat në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare dhe moszhvillimi ekonomik i rajonit.

Përmes kësaj Rezolute, bëhet thirrje për:

• Zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara më 2001, 2009 dhe 2013,

• Ndërprerja e praktikave administrative të pasivizimit arbitrar që çojnë në humbjen e të drejtave qytetare,

• Zbatimi i plotë i dispozitave ligjore që garantojnë të drejtat gjuhësore dhe arsimore,

• Përfaqësimi institucional e proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe publike,

• Që organet shtetërore të nisin procedura të dënimit të të gjithë atyre që ndaj shqiptarëve përdorin gjuhën e urrejtjes,

• Krijimi i fondeve zhvillimore me mbështetje shtetërore dhe ndërkombëtare,

Me Rezolutë kërkohet krijimi i një trupi parlamentar, me pjesëmarrjen e OSBE-së, sektorit civil dhe përfaqësuesve shqiptarë që do të ketë detyrë të hulumtojë gjitha rastet e pasivizimeve, kësaj mase që po ndryshon strukturën etnike të këtyre komunave.

Meqë përpjekjet e deritanishme nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara, propozohet që çështja e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës të përfshihet në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, si pjesë e përpjekjeve për paqe të qëndrueshme.

Miratimi i kësaj Rezolute do të shërbente si shenjë e vullnetit politik për të adresuar sfidat e kahershme dhe për të siguruar barazi për të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike – që është parakusht për zhvillim demokratik dhe përparim drejt integrimit evropian.

Falënderoj deputetit e SDA-Sanxhak, Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, për mbështetjen që i dhanë kësaj Rezolute për ta procesuar në procedure parlamentare. /2LONLINE/