Deputeti popullor dhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Bujanoc, Shaip Kamberi, ka thënë se tre zyrtarët institucional po bëjnë marketing politik me rastin e thirrjes së seancës së Kuvendit të shqiptarëve të Luginës.
Kamberi dyshon në seriozitetin e iniciativës. Ai thotë se këta liderë për gati katër vite, nga koha që kanë shumicën në kuvendet lokale dhe Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), nuk i ka rënë në mend që ta thirrin Kuvendin për një sërë çështjesh të tjera serioze.
Deputeti shqiptar thotë se kjo iniciativë është në funksion të zgjedhjeve lokale, për të cilat ka paralajmërime se do të mbahen shumë shpejt.
“Ragmi Mustafa ka humbur shumë pikë tek shqiptarët me dhuratën që ia dha Vuçiqit, vetëm për shkak se vizitoi Preshevën. Jonuz Musliu kurrë nuk pushon së ekspozuari, pasi dëshira e tij është që të bëhet lider i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa te Arifi ende është e pranishme hipoteka për shkak të koalicionit multietnik ku në fillim shumicën e shqiptarëve e ka lënë në opozitë. Tash Arifi dëshiron në këtë mënyrë, me ndihmën e Musliut dhe Mustafës, të bashkëngjitet në ‘ujërat’ patriotike”, ka thënë për “Vranjske”, deputeti Kamberi, transmeton Titulli.com.
Ai dyshon se këtu bëhet fjalë për marketing politik të liderëve të atyre partive të cilat kanë shumicën në Këshillin Kombëtar Shqiptar, përmes së cilës dëshirojnë të mbledhin pikë të lira politike.
Nga ana tjetër Kamberi sqaron se subjekti i tij politik (PVD) ka qartësuar pjesëmarrjen në çdo seancë të Kuvendit të shqiptarëve të Luginës, në të cilat seriozisht do të shqyrtohen, jo vetëm çështjet se çka do të bëjmë në të ardhmen, po edhe çka kemi bërë në të kaluarën.
“Në fakt, ne synojmë që Marrëveshjen ta përdorim si një lloj presioni në qeverinë serbe, komunitetin ndërkombëtar, që seriozisht të fillohet me zgjidhjen e Planit tonë prej shtatë pikave, të cilin Qeveria e Serbisë e ka miratuar në qershor të vitit 2013”, ka thënë mes tjerash deputeti Shaip Kamberi.