/PDK në Gjilan devijon nga programi dhe vizioni i saj/
(2LONLINE) – Zhvillimet e fundit në degën e PDK-së në Gjilan nuk ishin dhe aq mbresëlënëse. Dorëheqja e vonuar apo e imponuar e disa liderëve nuk solli ndonjë ndryshim apo reflektim të dukshëm në degën e PDK-së në Gjilan.
Përse kjo nuk ndodhi menjëherë kur PDK-ja doli humbëse nga zgjedhjet e fundit. Munguan analizat e thella, shkaqet që sollën humbjen e pushtetit. Sikur vetëm dy të ishin përgjegjësit kryesorë të humbjes së pushtetit, problemet do të zgjidheshin më lehtë. Duke mos kuptuar dhe as menduat se sa njerëz i lënduat me lojën tuaj të shahut, ku mbretëresha dhe mbreti nuk bënin gjë tjetër vetëm se ndërronin rolet, për tu kthyer në të njëjtin pozicion përsëri. E kështu na lodhët, zhgënjyet dhe demoralizuat shumë.
Një fjalë e urtë popullore thotë:”Shkon gjuha aty ku dhemb dhëmbi”.
Po e filloj me gruan demokratike e cila kurrë nuk ka funksionuar siç duhet. Në kohën kur ne po mendonim të organizoheshim, ju liderët tanë erdhët dhe vutë shtyllat duke ikonizuar dhe ngritur ne piedestal ato gra, që ne shumë pak i njihnim, duke mos na përfillur aspak, duke na fyer kështu rëndë dhe duke mos respektuar vullnetin tonë politik.
Për tu mos mjaftuar me kaq, anashkaluat veprimtaret e vjetra dhe shumë të denja të kësaj partie, grave meritore që sakrifikuan gjithçka vetëm për të qenë krah jush fitimtare.
Shumë nga ato harruan shpesh obligimin si nëna ndaj krijesave që me mund dhe sakrificë i sollën në jetë, duke vënë emrin, dinjitetin dhe reputacionin qe kishin në shoqëri.
Ju, liderëve tanë ju pëlqen shumë loja e qengjit të butë, që trembet se mos e ha ujku.
Mirëpo çdo gjë njeh kufi, vjen një moment dhe durimi soset. Heshtja tashmë po thyhet , duelet e heshtura morën guximin të dalin në fushën e mejdanit. Kambanat e zemërimit, ende vazhdojnë të bien. Por për kë? Për ju që nuk denjoni t’i dëgjoni e t’i përfillni?
Ngërçi politik tashmë është bërë nyje e pa zgjidhshme, sa më shumë tentojmë ta zgidhim aq më shumë krijojmë nyje të tjera. Ne, një pjesë e grave demokratike menduam dhe shpresuam ndryshe. Një grua në politikë është vërtet sakrifice, por mos harroni se është dhe nder.
Privilegjimi i një grupi të caktuar njerëzish në parti nuk sjell dobi, por shkatërrim.
Gjithmonë kam menduar se është shumë vështire të ndash ide me njerëz që dallojnë në bindje, por ju po na tregoni dhe udhërrefeni se nuk qenka shumë vështirë. Si duket ju nuk mërziteni aspak për ata njerëz që po largohen nga rradhët tuaja.
Por si duket shpresa vdes e fundit, “Nje bie qindra ngrihen”.
Dëgjoni këto këmbana zemërimi, mos heshtni sikur asgjë nuk po ndodh , ato bien për Ju, dëgjoni dhe mos harroni se atë që e humbet vështirë se e gjen më. Fajtorët shpallen triumfatorë e kështu iu shtrohet tapeti i kuq , i cili në lashtësi iu shtrohej mëkatarëve.
Miqtë e mi! Merreni si të doni, nuk kisha qëllim të lëndoj askënd, por thjesht desha të iu kujtoj se duhet t’i ktheni borxhin elektoratit i cili iu besoi me vite, zemërimin dhe mllefosjen kthejeni në mësim. Nga pësimi del edhe mësimi. Mos ndizni zjarre! Fikini ato!
Egocentrizmi le t’i hape rrugën lirisë së shprehjes dhe mendimit të lire demokratik, ndryshe, do t’iu mallkojnë brezat se amanetin dhe gjakun e të rënëve e harruat. /2lonline/
/Anila Tusha Kastrati/