Kalon Projektligji kundër pjesëmarrjes në luftëra terroriste
Me 74 vota për, 12 kundër ka kaluar në lexim të parë Projekligji për ndalimin në konflikte të armatosura jashtë vendit. Pas një debati të gjatë, që u zhvillua sot në Kuvendin e Kosovës, Projektligji që ndalon pjesëmarrjen e shtetasve të Kosovës në luftërat e huaja, terroriste, u miratua në parim nga 74, prej 85 deputetëve të pranishëm, ndërsa 12 ishin kundër dhe pa asnjë abstenim.
Projektligji për ndalimin e shtetasve të Kosovës që t’u bashkohen konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit, i cili ishte sot në rend të ditës së Kuvendit të Kosovës, u miratua në parim nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Vetëvendosjes.
Arsyetimin e këtij Projektligji para deputetëve, në vend të ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hyseni, e prezantoi ministri i Punës dhe i Çështjeve Sociale, Arban Abrashi.
Faton Topalli, deputet i Vetëvendosjes, duke sqaruar pse Grupi i tij Parlamentar është kundër, theksoi mospërmendjen e organizatave terroriste, si Al Kaida e Shteti Islamik në Siri e Irak dhe të tjerave kudo që janë.
Sipas tij, Projektligji në diskutim është i përgjithësuar dhe nuk saktëson se cilat janë ato luftëra jashtë që përbëjnë vepër penale për ata shtetas të Kosovës që u bashkohen.
Ai në emër të Vetëvendosjes kërkoi që të emërohen organizatat të cilat cilësohen terroriste dhe kur kjo të ndodhë edhe VV do ta përkrahë.
Topalli kërkoi që Projektligji të kthehet në ripunim.
Me deputetin e Vetëvendosjes polemizoi ish-ministri i Jashtëm, tash deputet, Enver Hoxhaj.
Ai tha se Projektligji ynë është i ngjashëm me ato të rajonit që merren me këtë problematikë. I kërkoi Vetëvendosjes ta miratojë në parim dhe të propozojë ndryshimet. Hoxhaj tha se jemi vonë me miratimin e tij.
Sqarimet e Hoxhës nuk e bindën deputetin e Vetëvendosjes, Topalli, i cili në foltore prezantoi qëndrimet e Grupit të tij Parlamentar kundër miratimit të këtij ligjor.
Edhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi tha se Projektligji është modern dhe përfshin elementet që duhet për luftimin e kësaj të keqeje globale. Ai rikujtoi përfshirjen e Kosovës në luftën globale kundër terrorizmit dhe ftoi deputetët që ta votojnë.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi një ligj tjetër që do të sanksiononte pjesëmarrjen në luftërat terroriste, një ligj që do t’i trajtonte njësoj të gjitha organizatat e grupet terroriste, duke përmendur edhe ato serbe, dhe nuk do t’i fuste në një thes edhe luftërat e drejta çlirimtare. Në këtë kontekst u përmend edhe vrasja e Enver Zymberit e Selver Haradinajt.
Gëzim Kelmendi, deputet i pavarur, tha se pavarësisht që Kosova nuk kërcënohet nga terrorizmi, këtë nuk e thotë asnjë dokument ndërkombëtar, ky ligj duhet të miratohet sa më parë dhe të mos arrestohen njerëz të pafajshëm.
Deputeti Agim Çeku propozoi riformulime për pjesë konkrete të ligjit, me arsyetimin se nuk është çdo konflikt i armatosur jashtë Kosovës kundër interesave të vendit tonë.
Ky projektligj, i cili nuk arriti të miratohej në legjislacionin e kaluar, ka për qëllim mbrojtjen e interesit shtetërorë dhe sigurisë kombëtare.
Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen ndaj çdo personi i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale,në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Me të parashihen penalizimet, 5-15 vjet burgim, për bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=18207
