DYLON

Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!

Kalimi urgjent në sistemin Presidencial, zgjidhje e përhershme për Kosovën!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Florim Zeqa

Fillimisht më duhet t’i sqaroj lexuesit e rreshtave të mëposhtëm, se qëllimi i këtij shkrimi nuk është mbështetja për liderin e LVV-së dhe as kundërshtimi ndaj liderëve të tjerë partiakë, por dalja nga labirinthi politik!

EkoHigjiena

Vakum total i sistemit politik!

Situata e krijuar ditëve të fundit në Kosovës, për më tepër se shqetësuese është edhe paradoksale: Kosova ka mbetur pa Ushtrues Detyre të Presidentit, pa Komandantin Suprem të FSK-së, pa Kryesi dhe pa Kryetar të Kuvendit, pa Kryeministër dhe pa Qeveri! Ky, për më tepër se vakum institucional, paraqet rrënim të sistemit politik në vendin tonë!

Fenomeni i pengimit në vijimësi i fituesit absolut të zgjedhjeve për krijimin e institucioneve të reja shtetërore duhet të merrë fund sa më shpejtë dhe sa më parë, sa nuk është bërë tepër vonë për shtetin e Kosovës!

Në anën tjetër, edhe shtyerja në pafundësi e seancës për konstituimin e plotë të Kuvendit të Kosovës nga ana e partisë fituese, ka irrituar qytetarët e vendit!

Përgjegjës kryesor dhe të vetmit për situatën e re (të vjetër) bllokuese të krijuar në Kosovë janë partitë parlamentare dhe të zgjedhurit e popullit, të kthyer në pengje të liderëve partiak!

Përseritja e situatave bllokuese në Kuvend, përveqse shkelje e të gjitha rregullave dhe normave demokratike është edhe dhunim i vullnetit të elektoratit.

Është dhunim i vullnetit të 36 % të elektoratit të dalë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Ndryshe, nuk ka si të quhen përpos dhunues mosrespektuesit e vullnetit të qytetarëve dhe verdiktit popullor për qeverisjen e vendit.

Mos respektimi i rezultatit zgjedhor paraqet shkeljen e parë dhe më flagrante të aktit më të lartë juridik të vendit-Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Me prolongim të seancave dhe me dhunë fizike në Kuvend po vazhdohet me shkeljet serike të Kushtetutës dhe rregullores së punës së Kuvendit!

Reforma e harruar, urgjente për dalje nga kriza e thellë politike

Reforma zgjedhore e filluar në vitin 2010, e bllokuar nga qeveritë e kaluara dhe e harruar së fundmi nga pushtetarët aktualë duhet të ri-inicohet nga deputetët e legjislatures së 11-të, për të shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme!

Por, për të ardhur deri tek kjo, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi me marrëveshje politike për zgjedhjen e Presidentit.

Pastaj, ligjvënësit të fillojnë urgjentisht ndryshimet Kushtetuese, përkatësisht ligjin dhe aktet nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin nga sistemi Parlamentar në atë Presidencial, i cili përveqse imperativ i ngutshëm kohorë, ka mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi i një sistemi të dështuar qeverisës 26 vjeçarë!

Sistemi Presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!

Sistemi Presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht krahun e djathtë dhe të majtë në Kuvendin e Kosovës.

Përderisa në sistemin Parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është jashtëzakonisht e madhe, në sistemin Presidencial evitohet ajo mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse të vendit.

Sistemet Presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që dallohen nga sistemet Parlamentare, pasiqë tek këto forma të qeverisjes fuqia politike dhe ekzekutive bartet nga Kryeministri tek Presidenti i shtetit të pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

E veçanta e sistemit Presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e popullit. I zgjedhuri i popullit është fuqiplotë dhe nuk mund të shkarkohet nga detyra nga ana e parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme qeverisëse.

Presidenti edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të njëjtën kohë.

Presidenti është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese i institucioneve shtetërore në përgjithësi.

Sistemi presidencial, i përshtatshëm për Kosovën

Sistemini qeverisës Presidencial, i adaptuar për rrethanat e Kosovës do të ishte model i suksesshëm, i cili do të garantonte stabilitet politik dhe mirëqeverisje të vendit.

Përfaqësimi në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani, me kontrabandim të deputetëve në Kuvend. Kompetencat ekzekutive i merr Presidenti bashkë me politikën e jashtme, ndërsa kryeministri merret më shumë me çështjet e brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës, etj.

Sistemi Presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë (pavarësimin e plotë të prokuorive dhe gjykatave.

Ajo çka është më kryesorja, sistemi Presidencial garanton pavarësi më të gjërë të institucioneve shtetërore edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht ndaj përfaqësive diplomatike të akredituara në vendin tonë.

Që i bie, se përfaqësitë diplomatike nuk mund të marrin më vendime për Kosovën, pra roli i tyre është reprezentativ dhe këshillues për drejtuesit shtetëror!

Ridizajnim i Kushtetutës së vendit konformë kërkesave të kohës

Sistemi parlamentar, gjegjësisht Republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.

Probleme të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj, e të mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë paralamentare.

Jo vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për shumë arsye të tjera, legjislatura e re e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka për detyrë të themelojë urgjentisht një komision të pavarur (jasht) parlamentar, të përbërë nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar Kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për evitimin e ngërçeve paszgjedhore.

Përfundimisht, sistemi Presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxjerrte Kosovën nga “çarku i mbyllur” politik.

Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike vendore, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike!

Përveç krizës së thellë politike në të cilën e kanë katandisur vendin politikanët e papërgjegjshëm, shtetin e Kosovës e kanë mbërthyer një varg krizash si ajo: ekonomike, energjetike, financiare, shëndetësore dhe arsimore, etj, ku shteti i Kosovës është duke përjetuar momentet më të vështira të krizës morale në Parlament! /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.