Kajtazi: Është koha e ushtrisë së vërtetë!

Kajtazi: Është koha e ushtrisë së vërtetë!

Analisti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi ka thënë se njëra nga pikat që duhet të fokusohet qeveria e re, është krijimi i Politikës së Sigurisë Kombëtare në përputhje me zhvillimet rajonale dhe globale, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Kajtazi thotë se në këtë kontekst, qeveria e re, në fokus duhet të ketë regjenerimin e marrëdhënieve ndërkombëtare si faktorin e parë të politikave të sigurisë, si dhe Politikën Ekonomike si faktorë tjetër i rëndësishëm i politikës së Sigurisë Nacionale.

“Për shkak të keqqeverisjes të deritanishme, këta dy faktorë kanë degraduar dhe kanë ç’akorduar në masë të madhe ekuilibrat e zhvillimeve të përgjithshme të Kosovës në raport me aleatët. Riparimi i shpejtë i këtyre faktorëve do të determinonte në masë të madhe konsolidimin e Politikave të Mbrojtjes si njëri nga faktorin e tretë të Politikës së Sigurisë Nacionale”, thotë Kajtazi.

Sipas tij, kjo do të konsistonte në rritjen e kredibilitetit ndërkombëtar të vendit, ku në fushën e Politikave të Mbrojtjes do të avancohej gradualisht, në përputhje me kërkesat si rrjedhojë e gjendjes së gjeopolitikës rajonale dhe globale, ku politika jonë e mbrojtjes do të akomodohet në planet e politikave të NATO-s.

Në këtë kuadër, shton ai, Ushtria e Kosovës duhet të krijojë një dimension të ri, ku së pari duhet të bëhet një profilizimi i ri përmes reformimit të lehtë të pozitave komanduese të të gjitha niveleve për të eliminuar ndërhyrjet politike dhe nepotizmin.

“Së dyti, buxheti për ushtrinë duhet të rritet dhe të merren përsipër furnizimet graduale me armatim dhe sisteme të avancuara. Në këtë kuadër është e nevojshme pajisja me autoblinda të armatosura me armatim nga 12.7 deri në 30 mm dhe me sisteme të raketave të dirigjuara apo vetëdirigjuara kundërblinduese. Gjithashtu batalionet e këmbësorisë duhet të fillojnë të pajisen më sisteme të artilerisë 60, 80 dhe 120 mm”, ka thënë Kajtazi, transmeton 2LONLINE.com

Sipas tij, këto veprime dhe krijimi Shërbimit Inteligjent të Ushtrisë, njësive të luftës kundër elektronike e të ngjashme, do t’i japin formë dhe përmbajtje ushtrisë tonë të re.

“Prandaj, është e domosdoshme që të stabilizohen Politikat e Sigurisë të Republikës së Kosovës me qëllim të marrjes përsipër në hisen e kapaciteteve mbrojtëse në raport me aleatët duke përafruar ekuilibrat në raport me ushtrinë kriminale të Serbisë, e cila është faktor destabilizues në Ballkan, dhe e cila Kosovën e ka rrethuar me 3 brigada në përbërje të të cilave janë rreth 30 batalione me rreth 250 tanke, mbi 300 transportues të blinduar, afro 100 sisteme artilerie mbi kalibrin 115 mm”, ka thënë Fadil Kajtazi, njohës i çështjeve të sigurisë.

KOMENTE