Kadriu: Trashëgimia duhet të ruhet, por jo çdo mur i vjetër përbën domosdoshmërish trashëgimi me vlerë!
Diku iu referuar objektit komunal që po ndërtohet në qendre të qytetit, Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Qytetare “Vatra”, thotë se kemi të bëjmë me një objekt modern komunal, por me një copë burgu të vjetër në oborr!
“Në Gjilan po ndërtohet një objekt i ri dhe modern i Komunës, por në oborrin e tij do të mbetet një pjesë e burgut të vjetër, e cilësuar si objekt i mbrojtur. Çfarë vlere të veçantë historike ka kjo pjesë e burgut? Përveç të burgosurve politikë, aty kanë qëndruar edhe persona të dënuar për vepra të ndryshme penale”, thotë Kadriu.
Ai shton tutje se nuk i duket e logjikshme që një rrënojë e tillë të pengojë zhvillimin dhe harmoninë arkitektonike të objektit të ri komunal, aq më tepër në qendër të qytetit.
“Trashëgimia duhet të ruhet, por jo çdo mur i vjetër përbën domosdoshmërish trashëgimi me vlerë”, thotë Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit nga Lëvizja Qytetare “Vatra”. /2LONLINE/
