DYLON

Kadriu: Transparenca dhe informimi i qytetarëve një praktikë e mirë institucionale

Kadriu: Transparenca dhe informimi i qytetarëve një praktikë e mirë institucionale
Redaksia

“Duke marrë parasysh se deri në vitin 2013 ka qenë praktikë botimi dhe publikimi i vendimeve të nxjerra nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, me qëllim informimin e zyrtarëve institucionalë dhe qytetarëve për vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën dhe interesat e tyre, gjatë periudhës sa kam drejtuar Kuvendin Komunal të Gjilanit kam ndërmarrë iniciativën për rikthimin e kësaj praktike të rëndësishme”, ka thënë ish kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu.

Ai bëri me dije se për disa muaj me radhë ka përgatitur tabela informuese mbi vendimet e miratuara nga Kuvendi Komunal, duke synuar që puna dhe vendimmarrja e këtij institucioni të jenë sa më transparente dhe të qasshme për publikun.

Sipas Kadriut, në vazhdën e kësaj iniciative, tashmë është përgatitur edhe broshura informative (buletini) që përmbledh vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Kjo broshurë është botuar në sasi të limituar, por synohet të botohet në një tirazh më të madh dhe të shpërndahet në institucionet komunale, me qëllim që qytetarët dhe zyrtarët të kenë qasje më të lehtë në vendimet dhe dokumentet që lidhen me funksionimin e komunës dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Gjatë periudhës kur pata përgjegjësinë të drejtoja Kuvendin Komunal të Gjilanit, me punë të përbashkët, përkushtim dhe angazhim institucional, arritëm ta bënim Kuvendin Komunal të Gjilanit më aktivin në Republikën e Kosovës. Përmes intensifikimit të punës, rritjes së transparencës dhe forcimit të rolit mbikëqyrës e vendimmarrës, synuam dhe e shndërruam Kuvendin Komunal në një institucion me kredibilitet të lartë”, ka thënë  Kushtrim Kadriu, që dikur drejtonte seancat e Kuvendit, në cilësinë e kryesuesit e sot është anëtar i tij.

Sipas tij, transparenca nuk duhet të mbetet vetëm një parim i deklaruar, por duhet të dëshmohet përmes veprimeve konkrete.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë vendoset në emër të tyre dhe si ndikojnë këto vendime në jetën e tyre”, ka thënë Kushtirm Kadriu, ish kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit.   /2LONLINE/

EkoHigjiena
Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.