(2LONLINE) – Komisioni për menaxhimin e thatësirës, përkatësisht Task Forca siç po quhet, e krijuar pas ballafaqimit të Gjilanit me situatën e rëndë të furnizimit me ujë të pijes, në mungesë të të reshurave, po punon në drejtim të zbutjes së situatës dhe në këtë drejtim, sipas drejtuesve të kësaj Force, është punuar mjaftë dhe ka rezultate.
Përveç rregullimit të orarit të reduktimit dhe ndërmarrjes së hapave që furnizimi të bëhet në rregull për tërë lagjet, duke u respektuar orari i reduktimeve, janë evidentuar edhe burime të reja dhe po punohet në fillimi e shfrytëzimit të atyre puseve, ndërkohë që po ashtu po hulumtohen burime tjera. Përveç angazhimit të zbutjes së situatës po punohet edhe në hartimin e strategjive afatgjate për furnizim të rregullt të qytetarëve të Gjilanit me ujë të pijes.
Rexhep Kadriu, nënkryetari i komunës, që është vënë në krye të kësaj Task Force ka thënë për Portalin 2LONLINE, se këtë javë është punuar në ndryshimin e orarit të reduktimeve, të hartimit të orarit të ri, respektimi i të cilit orar do të mbikëqyret nga kjo Task Forcë, e i cili do të përkujdeset që të respektohet në plotni.
Po ashtu , Kadriu tha se kanë urdhëruar Kompaninë Hidromorava, që të bëjë përmirësimin e të gjitha valvuleve nëpër puseta për të mundësur që në mënyrë të rregull të shpërndahet uji nëpër të gjitha lagjet. Ai po ashtu tha se në bashkëpunim m Drejtorinë e Inspekcionit dhe Policinë e Kosovës kanë filluar aksionin për ç’kyçje të të gjitha autolarjeve që janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit.
Përndryshe, Kadriu tha se kanë identifikuar burime të reja dhe se po shqyrtohet mundësia se si të rregullohet çështja për t’u përdorur ato burime. Në këtë drejtim, Kadriu tha se në kazermën ku është e vendosur FSK, ish kampi “Monteith”, janë dy puse me një thellësi prej 200 metrash dhe shpresohet se në bashkëpunim të mirë me FSK-në, do të mundësohet shfrytëzimi i këtyre burimeve. Aktualisht po shikohet kualiteti i ujit të këtyre dy puseve.
Kadriu tha se janë edhe dy puse në Koretishtë që asnjëherë nuk janë shfrytëzuar dhe se sipas informatave që i ka Task Force , ato mund të sjellin ujë 5 litra për sekondë . Do të bisedohet me pronarët e atyre tokave për hapjen edhe të tri puseve të tjera në atë pjesë që të sigurohet së paku 20 litra për sekondë. Shfrytëzimi i këtyre puseve do të zbuste në masë të mirë gjendjen e rëndë me ujë.
Përndryshe, hapi tjetër i kësaj Task Force do të jetë hulumtimi i resurseve të reja të ujit për menaxhim të situatës dhe se një lokacion i mundshëm i hulumtimit të burimeve të reja është në lagjen “Fidanishte”.
Kadriu tha se krejt çfarë po bëjnë institucionet e komunës së Gjilanit në krye me kryetari ne komunës Lutfi Haziri, janë përdorimi i të gjitha resurseve në posedim, në drejtim të zbutjes së gjendjes ekzistuese jo të mirë të furnizimit me ujë të pijes.
Përndryshe, sipas tij, kjo Task Forcë nuk do të ndalet vetëm me këto veprime por se do të punojë edhe në plane më afatgjate, në krijimin e strategjive që jo vetëm të zbutet gjendja e furnizimit të Gjilanit me ujë të pijes, por në të ardhmen, të kemi furnizim të qëndrueshëm me ujë të Gjilanit. /2lonline/