Kadriu: Ruajtja e ambientit dhe pastërtisë publike është obligim i përbashkët
/2L ONLINE/ – Grupet e ekologëve nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Gjilanit, sot kanë mbajtur një aktivitet simbolik, në kuadër të promovimit të ruajtjes së ambientit, pastërtisë dhe zgjerimit të hapësirave të gjelbërta.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, me drejtorët e drejtorive komunale ka qenë pjesë e këtij aktiviteti dhe njëkohësisht ka apeluar tëk të gjithë qytetarët që të ndikojnë pozitivisht në ruajtjen e ambientit të pastërt të Komunës dhe vendit ku jetojmë.
“Gjilani ka një park, që është pasuri e madhe në qendër të qytetit. Apeloj që të edukojmë fëmijët që nga mosha e hershme e tyre, pastaj tutje, për ruajtjen dhe zhvillimin e hapësirave të gjelbërta, ngase sa më shumë që kemi gjelbrim dhe drunjë, aq më i mirë do të jetë shëndeti dhe gjendja jonë shëndetësore. Urojmë që bashkërisht të kemi angazhime dhe punë të përditshme në ruajtjen dhe mbrojtjen e natyrës, sepse ajo në të vërtetë është mbrojtja dhe ajri ynë”, ka thënë ai ndër të tjerash.
Kadriu dhe drejtorët kanë qenë pjesë e fotove të cilat promovonin mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjen e tij.
Apel i përbashkët ishte që gjithçka që është e mundur të riciklohet, të bëhet menjëherë dhe bashkërisht me të gjithë qytetarët të ndikohet në ndalimin e hudhjes së mbeturinave vend e pa vend. /2L ONLINE/
