(2LONLINE) – Koalicioni LDK- AAK, që po qeverisë me Gjilanin, po funksionon mirë dhe është një koalicion i qëndrueshëm e stabil. Kështu është shprehur për Portalin 2lonline , Rexhep Kadriu, kryetar i AAK-së së Gjilanit, njëherësh nënkryetar komune.
Sipas tij, qasja dhe hapësira e krijuar nga kreu i komunës Lutfi Haziri, për partnerin e koalicionit, në këtë rast AAK-në, është hapësirë e duhur për punë.
“Si nënkryetar i komunës gjatë kësaj kohe sa ky koalicion po qeverisë me Gjilanin jam angazhuar në projektin e Lumit Mirusha, në projektin e rrugëve si dhe në menaxhimin e thatësirës dhe se punët janë duke shkuar mirë”, ka thënë Kadriu, i cili ka vlerësuar lartë edhe performancën që kanë drejtorët e dy drejtorive që janë nën drejtim të kuadrove të AAK-së.
Kadriu ka thënë se Sokol Haziri, drejtor në Drejtorinë e Shërbimeve Publike(DSHP), e ka gjetur këtë drejtori në gjendje jo të mirë në aspektin organizativ dhe funksional, por me angazhimin e tij, brenda kësaj periudhe 100 ditore , gjërat aty kanë ra në binarë të duhur.
Kjo, sipas Kadriut, është parë edhe me rastin e një anketimi me qytetarë për performancën e drejtorive ku del se qytetarët janë të kënaqur me punën e Drejtorisë për Shërbime Publike, pasi drejtori Sokol Haziri ka arrit t’ia kthej imazhin kësaj drejtorie.
Po ashtu kuadri i AAK-së udhëheqë edhe me një drejtori tjetër atë të Administratës së Përgjithshme (DAP) ku drejtor është Nazim Gagica dhe edhe performanca e tij është vlerësuar lartë nga nënkryetari i komunës Rexhep Kadriu.
Ai ka thënë se DAP është një resor ku qytetarët kanë kontaktin më të madh me të, dhe edhe aty ka pas rezultate pas ndërmarrjes nga drejtori Nazim Gagica të dy hapave të rëndësishëm. I pari ka qenë eliminim i radhëve në sportel, pas rregullimit të kohës së pauzës ku tani për qytetarët dyert e Administratës janë të hapura edhe përgjatë kohës (12:00 – 13:00), dhe hapi tjetër, që bëhet për herë të parë në Kosovës, pilot projekti për pajisjen e qytetarit me certifikatë, me porosi prej shtëpisë, dhe se dokumenti i shkon atij në shtëpi, përmes postës, projekt ky që njihet me emrin “ Home-Komuna”.
Edhe, një hap tjetër po ashtu i rëndësishëm, pritet të ndërmerret nga Administrata këto ditë, e që ka të bëjë me hapjen e zyrës së gjendjes civile edhe n fshatin Livoç që nuk ka qenë më parë, dhe edhe aty qytetarët mund t’i marrin shërbimet që i kërkojnë.
“Me këto rezultate të këtyre dy drejtorive dhe me punën time si nënkryetar ne duam të japim shembull se si do të qeverisë e djathta edhe në nivel qendror. Modeli i Gjilanit është përshëndetur kohë më parë, edhe nga kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj”, ka thënë Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit dhe kryetar i AAK-së, Dega në Gjilan. /2lonline/