(2LONLINE) – Për nderë të Epopesë së UÇK-së, që simbolizon rënien e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij, sot nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga zyrtarët komunalë, kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve si dhe te lapidarët e dëshmorëve të kombit në qytet.
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësues të Policisë së Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës e të tjerë.
Nënkryetari I Komunës, Rexhep Kadriu, tha se sot është një ditë e veçantë dhe përkujtohet me përulje vepra e komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes Jashari dhe e gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri.
”Për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot bashkërisht kemi bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe tek lapidarët e dëshmorëve. Pesë, gjashtë dhe shtatë marsi është ditë e shënuar në historinë e re të Kosovës, për sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Ne do të përulemi përjetësisht para varreve dhe lapidarëve të dëshmorëve. Do të kujdesemi maksimalisht sepse punën dhe amanetin e tyre akoma nuk e kemi çu në vend, do të kujdesemi edhe për familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës dhe do të punojmë që jeta e tyre të jetë sa më e mirë në të ardhmen”, ka thënë nënkryetari i Komunës Rexhep Kadriu.
Ndërsa kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Daku, është shprehur ne janë bashkuar të gjithë për t’i bërë nderim veprës së shenjtë të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë dëshmorët e tjerë që dhanë më të shtrenjtën për lirinë e Kosovës.
“Sot është një ditë e veçantë sepse sot janë bërë 16 vjet nga rënia e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Për ne shokët dhe bashkëluftëtarët është një ditë e madhe dhe ne jemi bashkuar të gjithë që t’i japim nderim veprës së shenjtë që ata kanë bërë për lirinë e vendit. I falënderoj edhe institucionet komunale për punën dhe angazhimet që janë duke i bërë për këto ditë të veçanta”, ka thënë ndër të tjerash kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Ahmet Daku.
Në kuadër të ditëve të Epopesë së UÇK-së, nesër do të bëhet ndezja e zjarreve në ora 18:00 tek varrezat e dëshmorëve.
Manifestimi treditor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës” përmbyllet nesër me ndezjen e zjarreve në ora 18:00, te varrezat e dëshmorëve, në Gjilan..2lonline/