Kadriu: Pema mbushi tri vjet në edukim të fëmijëve, e Komuna dyfishon buxhetit për të
/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu i shoqëruar edhe nga drejtor të drejtorive komunale, ka marrë pjesë në shënimin e tre vjetorit të organizatës “PEMA”, e cila merret ekskluzivisht me qëndrimin ditor, edukimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.
Nga ky takim është thënë se “PEMA”, është një derë e fuqishme e mbështetjes së familjeve të cilat kanë anëtarë të familjes – fëmijë me sindroma të ndryshme të cilat radhiten në aftësinë e kufizuar.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se kjo qendër është një mbështetje e fuqishme fillimisht për fëmijët me aftësi të kufizuara, pastaj është mbështetëse e familjeve dhe njëkohësisht një mbështetëse e madhe edhe e Komunës së Gjilanit, sepse siç ka thënë ai numër i konsiderueshëm i fëmijëv vizitojnë këtë qendër gjatë ditës.
“PEMA”, është një qendër tashmë e dëshmuar e suksesit në trajtimin e fëmijëve. Kjo qendër është në një formë apo tjetër mbështetësja më e madhe e fëmijëve me aftësi të kufizuara, e familjeve të tyre, por edhe e Komunës së Gjilanit si institucion në të njëjtën kohë, ngase puna që bëhet domosdo që shihet përmes rezultateve konkrete dhe ndryshimeve pozitive të fëmijëve që janë trajtuar në këtë qendër. Prandaj, Komuna e Gjilanit, respektivisht kryetari Haziri, duke parë këto rezultate, ka dyfishuar buxhetin për këtë vit, nga viti paraprak, në mënyrë që të jetë edhe më funksionale kjo qendër dhe më afër familjeve dhe fëmijëve në këtë rast”, ka thënë Kadriu ndër të tjerash.
Kurse nga ana e saj menaxherja e kësaj qendreje, Festa Demiri, ka thënë se tri vjet të kaluara kur kujtohen janë me përplot sfida por edhe me shumë suksese dhe rezultate.
“Tri vjet të Qendrës së Kujdesit Ditor “PEMA”, kur i kujtojmë sot menjëherë ndajmë prej tyre sfidat, sukseset dhe rezultatet e fëmijëve në të njëjtën kohë. Rezultati më i madh për neve si qendër në Gjilan është ndryshimi që ndodhë tek fëmijët gjatë edukimit dhe socializimit të tyre në shoqëri. Ndryshim shumë i madh poashtu vërehet edhe tek prindërit, të cilët e shprehin atë shpeshherë. Kjo normalisht që nuk do të kishte qenë e mundur pa një trajtim profesional dhe të përkushtuar që është bërë pikërisht nga edukatorët dhe psikologët që janë në këtë qendër”, ka thënë Demiri.
Ndryshe, në këtë takim kanë folur edhe drejtori i Shëndetësisë, Nexhat Hajrullahu, ai i Qendrës për Punë Sociale, Mursel Zymberi, pastaj Ema Sallahu dhe prindër të fëmijëve, të cilët kanë vlerësuar lartë punën dhe përkushtimin që është duke u bërë në këtë qendër. /2L ONLINE/
