DYLON

Kadriu: Një vend i ri pune, për Komunën është shumë i rëndësishëm në zhvillim

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Sot në Gjilan ka qëndruar përfaqësuesi i BE – së në Kosovë, Christof Stock, Besian Mustafa, Drejtor Ekzekutiv i KIESA në Ministrinë e Tregtisë, Arta Musa – Krasniqi, Task Manager në zyrën e BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesit e IOM – it (MSME ekipi për Grante), të cilët kanë vizituar dy bizneset, rrobaqepësen “Festa”, e cila bënë prodhimin e veshjeve për femra, dekorimin e ambienteve etj., dhe biznesin tjetër “Gan Dizajn”, që merret me dizajne të ndryshme, gravim, shtyp dhe produkte të tjera të llojllojshme.

Me këtë rast, përfaqësuesi i BE – së në Kosovë, Christof Stock, gjatë vizitës në këto biznese ka thënë se angazhimi i grave në punësim në njërin biznes, në një formë është pavarësia ekonomike e tyre dhe siguri më e madhe, sikur që edhe angazhimi në dizajn i biznesit tjetër është një hap tjetër drejtë modernizimit të shtypit të këtij lloji.

EkoHigjiena

“Investimi në biznesin privat, është investim në punësim, siç ka ndodhur me këto dy biznese. Zyra jonë Rajonale në Gjilan gjatë të ardhmes do të ketë edhe grante të tjera që do të ndihmojnë bizneset e reja apo ato ekzistuese në zgjerim dhe zhvillim, me qëllim të punësimit të qytetarëve”, tha Stock, ndër të tjerash, derisa është ndarë i kënaqur me punën dhe angazhimin që bëhet në këtë drejtim.

Kurse nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka thënë se punësimi i vetëm një qytetari është i mirëseardhur për ne, por kur këto biznese deklarojnë për punësime prej disa punëtorëve, kjo është edhe më mirë.

“BE, IOM dhe qeveria e Kosovës me investimet e tyre dhe angazhimin tonë, sot po shohim dy biznese që janë në vlugun e punës në fusha të ndryshme. Pamë me shumë vlug të punës prodhimin e veshjeve për femra dhe realizimin e kërkesave të ndryshme që aty janë nga restorantet më të mëdha në Gjilan, poashtu edhe biznesi tjetër që merret me dizajn dhe shtyp modern të llogove, mirënjohjeve, medaljeve të shumëta, punën në gravim në material të ndryshme etj. Është fat shumë i mirë se pos këtyre dy bizneseve kemi edhe disa të tjera që janë përfitues dhe që janë në proces të finalizimit të punës së tyre dhe aktivizimit si biznese. Në të njëjtën kohë, sot në Gjilan kemi edhe projekte të tjera publike që janë të investuara nga BE, qeveria dhe Komuna, e të implementuara nga IOM”, tha Kadriu, duke shtuar se Komuna e Gjilanit është një ombrellë e gjërë e mbështetjes për sektorin privat të biznesit, sepse janë pikërisht bizneset ato që kanë mundësi më të mëdha të punësimit të qytetarëve me një mbështetje më të fuqishme institucionale.

Biznesi për prodhimin e veshjeve për femra, tashmë ka disa kontrata të lidhura me restorantet e Gjilanit për prodhimin sipas kërkesave të tyre, që e bënë edhe më të sigurtë këtë prodhues, sikur që ka ndikuar të rrisë veprimtarinë nga 2 punëtorë në gjashtë me kontrata të rregullta, e gjatë sezonit të verës ky numër arrin në 11 punëtorë. Pretendimet sipas menaxhmentit janë rritja e mëtutjeshme në disa punëtorë dhe kalimin në rangun e bizneseve të mesme, sepse kërkesat tashmë kalojnë kufijtë e shtetit të Kosovës dhe në këtë drejtim ka porosi dhe interesime edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia.

Kurse, Gani Kastrati nga biznesi “Gan Dizajn”, ka thënë se investimi që ka bërë BE, së bashku me qeverinë, IOM – in dhe me mbështjetjen e Komunës së Gjilanit, kanë bërë të mundur që të rris numrin e produkteve, kapacitetet prodhuese dhe modernizimin e punës me shtyp dhe dizajn.

Kastrati, ka thënë se me këto pajisje dhe me mbështetje edhe të Komunës së Gjilanit bëhet e mundur avancimi i veprimtarisë së tij. Ai ka potencuar se janë kryesisht porosi që punohen për institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, por edhe për të interesuar të tjerë. /2L ONLINE/