(2LONLINE) – Reshjet pandërprera të shiut të ditëve të fundit kanë ndikuar që gjendja me ujë në Komunën e Gjilanit të stabilizohet mjaft mirë. Tashmë penda e Përlepnicës ka arritur në nivelin rekord të mbushjes, sikurse “Guri i Hoxhës”, “Baja” dhe burimi në fshatin Velekincë.
Ky konstatim ka dalë sot nga takimi i fundit i Task Forcës për menaxhimin e thatësisë. Udhëheqësi i kësaj Task Force, nënkryetari Rexhep Kadriu, ka thënë pas mbledhjes se tashmë prodhimi i ujit në të katër burimet bëhet me kapacitet të plotë dhe furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet pandërprerë për qytetarët e Gjilanit.
“Falë Zotit, për një muaj kemi pasur reshje të pandërprera, meqë rast jemi në gjendje maksimale të prurjeve të ujit në akumulacionin e Përlepnicës. Kemi marrë vendim sot që të anulojmë orarin e reduktimeve dhe do të shkojmë ne 24 orë furnizim me ujë për qytetarët e Gjilanit sepse të gjitha burimet alternative që i kemi në Gjilan, janë me kapacitete të plota. Nga sot prodhimi në fabrikë në Përlepnicë do të jetë maksimal”, tha nënkryetari Kadriu.
Ai ka shtuar se Task Forca do të vazhdoj punën e saj për të vënë në përdorim burimet e reja të ujit, që do të mundësonte një stabilitet të ujit të pijshëm gjatë verës, ndërsa pohoi se Komuna do të jenë në vrojtim të vazhdueshëm për ta përcjell gjendjen me ujë.
Ndërsa, drejtori teknik i kompanisë “Hidromorava”, Mumin Morina, është shprehur shumë i lumtur që sot është niveli maksimal i ujit në pendën e Përlepnicës, përderisa tha se në bashkëpunim të mirë me Komunën kanë arritur që ta menaxhojnë shumë mirë thatësinë.
Gjatë javëve në vazhdim, Morina tha se do të ndërtohet një gyp me kualitete të larta i ri nga qendra e qytetit deri te rruga qarkore, duke shpresuar se me këtë do të evitohen humbjet dhe problemet shkaku i presionit të ujit. /2lonline/