Kadriu: Kosova e Shqipëria të ndihmojnë në unifikimin e spektrit politik në Luginë
/2L ONLINE/ – Kërkesa e Lëvizjes Qytetare Vatra, për unifikimin e faktorit politik të Kosovës Lindore është jetike te realizohet dhe të jetësohet sa më shpejtë qe është e mundur. Por për këtë, sipas përfaqësuesve të Lëvizjes Qytetare Vatra, me seli në Gjilan, duhet ndihma e dy qeverive, e asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Kushtrim Kadriu zëdhënës i Lëvizje Qytetare Vatra thotë për Portalin 2L ONLINE, se kjo kërkesë e kësaj Lëvizjeje ishte e kamotshme, bile edhe sa ishin shoqatë, e rishfaqur edhe tani për krijimin e një liste shqiptare, e cila do të mblidhte rreth vete gjithë spektrin politik të Kosovës Lindore në një subjekt të vetëm politik.
“Kjo ide duhet te realizohet me urgjencë për arsyeje se ekziston një përçarje e skenës politike shqiptare në Kosovën Lindore, pastaj edhe lindja e shumë partive politike dhe kjo po bënë që faktori politik të mos jetë i unifikuar dhe është tejet i përçarë. Regjimi serb, në Bujanoc dhe Medvegjë, po e shfrytëzon këtë përçarje dhe derisa 12 – 13 parti politike shqiptare veprojnë në terren, 5-6 të tjera aktivizohen gjatë zgjedhjeve dhe tashti po paralajmërohet edhe formimi i partive të reja politike shqiptare, andaj shtrohet pyetja se çka i duhen Kosovës Lindore aq shumë subjekte politike”, thotë Kadriu.
Sipas tij, formimi i më shumë partive politike e ndan votuesin shqiptar. Secila parti merr nga pak vota nga votuesit e vet, derisa serbët po i bashkojnë listat dhe ato janë shumë më të unifikuara, andaj ato edhe mund të dalin të parat dhe ta marrin pushtetin, sidomos në komunën e Bujanocit.
Kadriu mendon se rivaliteti mes spektrit politik shqiptar në Kosovë Lindore është më i madh sesa në Kosovë e në Shqipëri, apo edhe në Maqedoni, ngase sipas tij, si mund të kuptohet ndryshe që një territor të banuar me mbi 50 mijë banorë, të ketë aq shumë parti politike.
“Këtë ide të dhënë nga ne, kemi tentuar ta jetësojmë për shumë vite, por e kishim të pamundur pasi që nuk gjetëm bashkëpunim të mirëfilltë me spektrin politik shqiptar atje. Ketë ide kërkojmë ta jetësojmë me ndihmën e Qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, pasi që me ndihmën e tyre do të ishte shumë e lehtë te behet kjo punë e mire për shqiptaret ne Kosovës Lindore”, thotë Kadriu, për tu shprehur i lumtur se disa politikan nga Kosova, kanë filluar ta promovojnë ketë ide, dhe e përmendin edhe në Parlamentin e Kosovës, institucion ku veprojnë ata.
“Angazhimi i çdo politikani duhet të jetë i sinqertë, e jo të jetë sa për përfitime politike e në realitet të veprohet ndryshe, bile duke u penguar e “hedhur gurë në rrugën e unifikim” thotë në fund, Kushtirm Kadriu, zëdhënës i Lëvizjes Qytetare “Vatra”. / 2L ONLINE/
