(2LONLINE) – Është mbajtur takimi i radhës i mekanizimit koordinues kundër dhunës në familje, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha institucionet relevante të shtetit me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie të shëmtuar.
I pranishëm në këtë takim ishte nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, përfaqësues organizata “Un Women”, zyrtare për barazi gjinore, policia e prokuroria.
Nënkryetari Kadriu tha gjatë fjalës së tij se Komuna e Gjilanit e ka vullnetin e mirë për t‘u koordinuar me të gjitha nivelet që të parandalohet dhuna në familje.
“Komuna e Gjilanit do të përkrah gjithmonë iniciativat e tilla për koordinim të punëve në nivel lokal. Po ju informoj se me iniciativë të kryetarit Haziri, është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit prej kryetarëve të 11 komunave për mbështetje për strehimoren “Liria”. Komuna në krye me kryetarin Haziri e ka vullnetin e mirë për bashkëpunim në mënyrë që të parandalohet dhuna në familje”, tha nënkryetari Kadriu.
Tahire Haxholli nga Policia e Kosovës theksoi aty ku ka dhunë nuk ka familje të shëndoshë, e po ashtu nuk ka shoqëri e shtet të shëndoshë.
Ajo tha se të gjithë së bashku e kanë obligim për të marrë masa në luftimin dhe paradalimin e kësaj dukurie.
Në këtë takim u tha nga të pranishmit se në trajtimin dhe parandalimin e dhunës në familje duhet të funksionojnë institucionet relevante në mënyrë zingjirore, duke filluar nga agjencia për barazi gjinore, grupi koordinues ndërministror, prokuroria, gjykatat, policia, MASHT, MSH MPMS, strehimoret etj./2lonline/