DYLON

Kadriu: KFOR-i turk ka derën e hapur të Komunës së Gjilanit për çdo pengesë që kanë në punën e tyre

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ Me rastin e ndërrimit të komandës në KFOR-in Turk në Kosovë, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka pritur në një takim përshëndetës për përfundimin e komandës, Togerin Mustafa Erkul, i cili ka shërbyer për gjashtë muaj me radhë dhe tha se Gjilani dhe qytetarët e saj janë mikpritës të veçantë, të cilët asnjëherë dhe në asnjë moment, kudo që gjendesh në botë nuk mund t’i harrosh.

Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka falënderuar në emër të kryetarit Haziri Togerin Erkul, për shërbimin e dhënë në KFOR-in Turk në Kosovë, si një institucion i sigurisë i cili ka bashkëpunuar jashtëzakonisht mirë me institucionet komunale.

EkoHigjiena

“Në emër të kryetarit Haziri dhe të qytetarëve të Gjilanit, ju falënderojmë për angazhimin tuaj në sigurinë e qytetarëve tanë, në punën e madhe për lirinë e lëvizjes dhe në bashkëpunimin shumë të mirë dhe korrekt që kishim për këtë periudhë sa ju keni shërbyer këtu. Është element pozitiv se si Toger do të shkoj në vendin e tij me përshtypjen pozitive për Gjilanin dhe qytetarët në përgjithësi të komunës sonë”, tha ndër të tjerash nënkryetari Kadriu, duke shtuar se bashkëpunimi do të vazhdoj edhe më tutje dhe se dera e Komunës së Gjilanit është e hapur për çdo pengesë apo problem që ata mund ta kenë gjatë të ardhmes.

Ndërsa Togeri Mustafa Erkul, ka thënë se ishte një përvojë shumë e mirë në Kosovë dhe e veçantë për shkak të afërsisë, bashkëpunimit dhe kulturës së përgjithshme të qytetarëve të Gjilanit.

“Jam i kënaqur që isha këtu për këta gjashtë muaj. Kjo ishte një përvojë shumë e mirë. Qytetarët ishin mikpritës të mirë për mua dhe ekipin tonë në përgjithësi. Ne jemi njerëz që vijmë e shkojmë, por miqësia është ajo që mbetet përgjithmonë, kudo që ne të jemi, asnjëri nuk mund të harrojmë këtë pritje që na është bërë në vendin tuaj”, tha Erkul, duke shtuar se e ka informuar togerin Emrah Yildirim, për të gjitha përvojat e mira që kishte me qytetarët në Gjilan.

Ndryshe në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për shërbimin e tij, nënkryetari Kadriu, i ka dhënë një mirënjohje dhe një plaket të një pjese të qytetit të Gjilanit, togerit Erkul që ta kujtoj përherë vendin në të cilin ka dhënë kontribut ushtarak, në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve të të Gjilanit në veçanti.

Ndryshe, komandën e KFOR-it e cila deri sot është kryesuar nga Mustafa Erkul, për gjashtë muajt e ardhshëm do të udhëhiqet nga Togeri Emrah Yildirim. /2L ONLINE/