Kadriu kërkon nga KPF-ja ta fus në rend dite në seancën e prillit çështjen e bursave që ende nuk janë ndarë
Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Vatra, ka ngritur shqetësimin e tij për çështjen e bursave komunale për studentë, që ende nuk janë ndarë dhe ka bërë me dije se kërkon nga anëtarët e Komitetit për Politik dhe Financa (KPF), të Komunës së Gjilanit ta fusin këtë çështje për trajtim në seancën e muajit prill dhe të ndërmerrën hapa urgjentë, pa vonesa të mëtejshme, transmeton Portali 2LONLINE.
Kadriu, që njëherësh është Shef i Grupit G3, në Kuvnedin Komunal të Gjilanit, ka thënë se gjatë ditëve të fundit ka pranuar dhjetëra kërkesa nga qytetarët për informacione lidhur me arsyet pse bursat komunale ende nuk janë ndarë.
“Para dy seancave të fundit të mbajtura, kam kërkuar që komisioni përkatës të riformohet dhe dosjet të trajtohen pa vonesa. Po ashtu, kam propozuar edhe krijimin e një komisioni për ndryshime statutare, me qëllim që ky proces të marrë kahjen e duhur. Megjithatë, përkundër këtyre kërkesave, muajt janar, shkurt dhe mars kanë kaluar pa ndonjë veprim konkret”, ka thënë Kadriu, transmeton 2LONLINE.
Sipas tij, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj çështjeje për studentët dhe familjet e tyre, ai ka kërkuar nga KPF-ja, si Kryesi e Kuvendit Komunal, që ta fusin këtë çështje për trajtim në seancën e muajit prill dhe të ndërmerren hapa urgjentë, pa vonesa të mëtejshme. Trajtimi i saj, siç është paraparë në planin e punës, është tepër i vonshëm.
“Transparenca, përgjegjësia dhe përkushtimi ndaj qytetarëve duhet të jenë prioritet i përbashkët”, ka thënë Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit. /2LONLINE/
