Kadriu: Kërkoj barazi ndërmjet subjekteve politike në shfrytëzimin e hapësirave publike
“Që nga viti 2009 kam folur dhe kam kërkuar lirimin e hapësirave publike nga partitë politike në Gjilan, ose së paku mundësimin e shfrytëzimit të tyre edhe nga subjektet e tjera politike joparlamentare, të cilat nuk financohen nga Kuvendi i Kosovës”, thotë Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvnedit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Lëvizjes Qytetare “Vatra”.
Ai tha se tash e dy mandate ka kërkuar barazi ndërmjet subjekteve politike në shfrytëzimin e hapësirave publike, por kjo ende nuk ka ndodhur.
“Sot, në planin e punës së Kuvendit, nën rubrikën e pyetjeve, kisha paraparë t’i drejtoja një pyetje drejtorit të Inspekcionit, z. Isa Agushi, lidhur me këtë anomali: si qëndron aspekti ligjor i kësaj çështjeje dhe a janë ndërmarrë hapa për ta qartësuar gjendjen dhe për ta vendosur barazinë në shfrytëzimin e hapësirave publike në Gjilan”, ka thënë Kadriu, transmeton 2LONLINE.
Ai u shpreh tutje se Kuvendi sot doli jashtë kontrollit për shkak të përplasjeve parlamentare, duke u larguar nga funksioni normal i punës, andaj për këtë arsye nuk mundi ta parashtroj këtë pyetje në seancë, prandaj po ia drejton me shkrim këtë pyetje drejtorit të Inspekcionit, Isa Agushit.
“Pres një përgjigje të qartë lidhur me bazën ligjore të kësaj praktike dhe veprimet që do të ndërmerren për të siguruar trajtim të barabartë për të gjitha subjektet politike në Komunën e Gjilanit”, thotë Kushtrim Kadriu i Vatrës. /2LONLINE/
