Kadriu: KBR ishte dhe mbetet kompania që ndryshoi gjendjen ekonomike dhe sociale në familjet tona
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit dhe e Ferizajt kanë falënderuar dhe ndarë mirënjohje punëdhënësit gjigant në kuadër të KFOR it Amerikan respektivisht përfaqësuesit e kompanisë KBR, për kontributin që ka dhënë në punësimin e mijëra qytetarëve e veçanërisht të rinjve nga rajoni i Gjilanit dhe Ferizajt fillimisht në kampin Montith e Bondstill e më vonë edhe në shtete tjera si në Irak e Afganistan.
Me këtë rast nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, në emër të kryetarit Lutfi Haziri, ka falënderuar këtë kompani dhe tha se ky gjigant që ka shërbyer dhe vazhdon të jetë ende prezent në Kosovë me punësimet e qytetarëve ka ndikuar në mirëqenien e familjeve nga Gjilani Ferizaj e më gjerë.
“Ndihma dhe mbështetja nga qeveria amerikane në përgjithësi dhe kompania KBR ishin dhe vazhdojnë të mbeten të një rëndësie të veçantë marrë për bazë rrethanat në për të cilat ka kaluar Republika e Kosovës gjatë dekadës së fundit, si dëmtimet e shumta në infrastrukturë dhe zhvillimin e ulët ekonomik po ashtu edhe nivelin e lartë të papunësisë. Mund të them se jemi me fat që jemi pjesë e këtij rajoni, pasi që komunat tona më shumë se një dekade ishin pjesë përfituese e këtyre projekteve me rëndësi të madhe”, ka thënë ai.
Kadriu në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Gjilanit, të shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin e ofruar nga kompania KBR dhe mbështetjen e pa rezervë që qeveria Amerikane ka ofruar dhe vazhdon ta ofroj për Republikën e Kosovës.
Ndërsa, nga ana e tij kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ka thënë se KBR ishte shpresa e parë e ndërtimit të vendit pas çlirimit, me punësimet dhe angazhimet që ka bërë duke marrë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve, qytetarë të këtij regjioni.
“Punëtorët e vyeshëm shqiptar të KBR-së me punën e tyre jo vetëm që kanë rritur imazhin pozitiv të shqiptarëve nëpër botë dhe kanë ndikuar në rritjen e mirëqenies ekonomike për vete dhe për familjaret e tyre si dhe për zhvillimin e Kosovës. Por, ka ndikuar në ndryshimin pozitiv të kulturës dhe qasjes ndaj punës si pasuri dhe vlerë përmes përvojës që kanë fituar në bashkëpunim me punëtorët Amerikan dhe njerëzit anglisht folës”, ka thënë Svarqa, për të shtuar se përvoja e fituar në këtë kompani do të shfrytëzohet pozitivisht në vendlindjen e tyre edhe në të ardhmen.
Kurse, në fjalën e tij presidenti i KBR-së, Andrew Pringle, është shprehur falënderues për mirënjohjet, teksa ka thënë se është i habitur me ndryshimet që kanë ngjarë brenda periudhës 16 vjeçare në Kosovë. Ai ka thënë se gjatë viteve 1999-2000 ka udhëtuar shumë brenda dhe jashtë Kosovës dhe ajo që e ka bërë të ndihet i befasuar janë ndryshimet, rrugë të mira dhe akomodime të mira gjatë rrugës.
“Në Kosovë kanë ndodhur ndryshime të mëdha pozitive për periudhën 16 vjeçare. Kjo nëse është një shenjë e vogël që Kosova është në këmbë dhe është duke shkuar përpara kjo është shumë e mirë. Ne si KBR së bashku me forcat e KFOR-it jemi shumë krenar për këtë që bëmë. Gjatë kësaj, ne dëgjuam shumë fjalë falënderuese nga kryetari i Ferizajt dhe nënkryetari i Gjilanit, por në fakt është ajo që ne duhet të bëjmë, është që t’ju falënderojmë ju për atë që bëtë për neve, për të shkuarën dhe të tashmen dhe për ata që janë duke punuar për neve sot”, theksoj Pringle.
Ai ka thënë poashtu se nëse ne ju ndihmuam juve që të bëni më të mirë në përgatitjet tuaja profesionale, ju do të shikoni mbrapa dhe do të mendoni për KBR me një sinqeritet dhe një dashuri për ne.
Në këtë organizim ishin të pranishëm edhe një numër i madh i punëtorëve që kishin qenë pjesë e kësaj kompanie me vite, ndërsa u tha se pas luftës në këtë kompani kanë qenë të punësuar rreth 6 mijë persona nga Ferizaj dhe rrethina, të përfshirë në projektin e ngritjes së kampit më të madhe të KFOR-it Bondstill. /2L ONLINE/
