DYLON

Kadriu: Isa Kastrati bëri shumë për lirinë e Kosovës

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) – Në Gjilan është shënuar të dielën 15-vjetori i rënies së dëshmorit, Isa Kastrati, me ç`rast për kontributin e tij dhënë luftës për liri kanë folur bashkëpunëtorë e veprimtarë të çështjes kombëtare.

Në emër të qeverisë së Kosovës, nën përkujdesjen e së cilës është mbajtur akademia përkujtimore, pjesëmarrësit i ka përshëndetur Basri Musmurati, i cili i ka bërë një përshkrim rrugëtimit patriotik të Isa Kastratit, deri në momentet e rënies për liri.

EkoHigjiena

Kurse, Rexhep Kadriu, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, ka thënë se Isa Kastrati dhe familja e tij, në vazhdimësi kanë kontribuar në luftën për çlirim kombëtar. Isa bëri shumë vite burgim, kaloi nëpër shumë tortura, por kurrë nuk u gjunjëzua në rrugën e lirisë.

Adem Demaçi tha se dëshmorët e Kosovës patën për çka të vdesin, prandaj ata nuk duhet të qahen nga ne, ndërkohë që u tregua kritik ndaj atyre që tani po e hanë luftën e vetë për interesa karrieriste, duke harruar interesin e popullit dhe të shtetit.

Demaçi i rikujtoi udhëheqësit e vendit se kanë përgjegjësi për ta bërë lirinë e plotë të Kosovës, sepse, siç tha ai, ende nuk e kemi bërë.

Duke aluduar te kërkesat e ndërkombëtare për themelimin e gjykatës speciale në Kosovë, Adem Demaçi tha se shqiptarët po detyrohen që të pranojnë diçka që shkel interesat e tyre. Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të insistojë te shqiptarët të shkelin mbi gjakun e tyre, ka thënë Demaçi.

Kurse kolonel Adem Shehu kujtoi takimet e para me të rinjtë nga Kosova, që kishin shkuar në Shqipëri për t`u përgatitur për luftë, për të vazhduar me përshkrimin e gjendjes në terren, ku edhe ai dha kontribut të drejtpërdrejt si oficer i Ushtrisë Shqiptare.

Koloneli shqiptar kujtoi edhe takimin e parë me Isa Kastratin, i cili pasi kishte kuptuar se kush ishte Adem Shehu dhe nga vinte, kishte bërtitur nga gëzimi ”E fituam luftën”.

Musa Musliu, i cili ka folur për figurën intelektuale të Isa Kastratit, ka thënë ai ishte kryengritës i përjetshëm, që nuk e njohu asnjëherë fenomenin e frikës, kurse Ibrahim Ahmetaj tha se është pak të thuhet se Isa e bëri këtë sakrificë për Kosovën, sepse Isa e bëri këtë për Shqipërinë.

Akademia përkujtimore u përmbyll me recitalin e Mirush Kabashit “Poemë për Kosovën” të Mitrush Kutelit. /2lonline/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.