/2L ONLINE/ – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Gjilan, Rexhep Kadriu, ka porositur SHIK-un t’i mbajë duart larg nga Gjilani. Ai ka thënë se gjilanasit, sikurse edhe qytetarët tjerë, deri më tani i kanë dhënë mbështetje të madhe reagimit të opozitës së bashkuar, tani e gjashtë muaj, dhe i ka ftuar ata që një gjë të tillë, ta bëjnë edhe më 17 shkurt, kur do të protestohet në Prishtinë.
Kjo mbështetje e gjilanasve sikurse edhe qytetarëve të komunave tjera, sipas Kadriut, po bëhet për ndryshimin e qeverisë dhe ndaljen e ndikimit të SHIK-ut e cila kohëve të fundit po tenton të instalohet edhe në Gjilan dhe kapjen e Gjilanit sikurse që e bëri me Kosovën.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë i thërret këto struktura të SHIK-ut që t’i mbajnë duart larg nga Gjilani”, ka thënë ai.
Përndryshe, Kadriu, që njëherësh është edhe nënkryetar komune, ka folur për të arritur në nivelin lokal, ku AAK është në bashkëqeverisje, duke thënë se kuadrot e saj kanë treguar performancë të lartë, aftësi profesionale, përkushtim dhe angazhim të sinqertë, krejt këto në dobi të interesit qytetar, dhe kjo është përkthyer me besimin qytetarë për këtë subjekt që shihet edhe me aderimet e reja.
Por, duke komentuar zhvillimet e nivelit nacional, Kadriu ka thënë se AAK është vënë në funksion të reagimit opozitar dhe se specifikat që i ka Gjilani dhe Anamorava ka bërë që qytetarët t’i përgjigjen masovikisht protestave të organizuara nga opozita e bashkuar sepse me marrëveshjet e nënshkruara goditet drejtpërdrejt funksionimi i tërësisë territoriale të Kosovës.
“Ne, duke ndjekur zhvillimet politike në nivel qendror iu kemi përgjigjur denjësisht dhe me vendosmëri përkrahjes së kauzave të opozitës së bashkuar për të mos lejuar ndarjen e Kosovës dhe ndikimin e Serbisë si dhe faljen e territorit Malit të Zi”, ka thënë Rexhep Kadriu i AAK-së. /2L ONLINE/