Kadriu i AAK-së priti sindikalistët pensionist

Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – Dega në Gjilan Rexhep Kadriu, ka pritur Sindikatën e pensionistëve dhe Invalidëve të Luftës në Gjilan. Ky është takimi i dytë që Kadriu ka pasur me përfaqësues të kësaj sindikate, me qëllimin për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
Kadriu ka thënë se që nga takimi i parë me sindikatën, ai bashkë me grupet punuese në kuadër të AAK-së kanë bërë strategji që ofrojnë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohen pensionistët, ndërsa ka shtuar se shumë shpejtë këto strategji do të jenë publike për të gjithë.

Ai ka premtuar edhe njëherë përkrahje për pensionistët dhe ka thënë se me ardhjen e tij në pushtet, pensionistët do të jenë ata që do të kenë përkrahjen dhe mbështetjen më të madhe nga kryetari Kadriu.

Drejtori i sindikatës së pensionistëve dhe invalidëve të luftës në Gjilan Muharrem Bajrami, ka thënë se ndihen të nderuar që kryetari Kadriu nuk i ka harruar kërkesat e tyre dhe ka kërkuar një takim të dytë për shqyrtimin akoma më serioz dhe gjetjen e alternativave për plotësimin e tyre.

Ai ka thënë se në emër të të gjithë pensionistëve, falenderon publikisht kryetarin e AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, që po e përkrahë këtë sindikatë duke shpresuar që ky kryetar të jetë shembull për liderët e mëparshëm, të cilët pensionistët i kanë lënë pothuajshe gjithnjë mbasdore.

Kadriu i AAK-së ka premtuar edhe takime të radhës me pensionistë, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. /2lonline/

KOMENTE