Gjilan – (2LONLINE) – Kryetari i AAK-së në Gjilan njëherit dhe kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës, është takuar me tifozët e klubit futbollistik Gjilani, “Skifterat”. Meqenëse ky ekip po ballafaqohet me një gjendje jo të mirë materiale, Kadriu tha se ka zgjedhur të takohet me ta për të gjetur bashkë alternativa për ti ndihmuar Skifterat.
“ K.F “Gjilani” dhe K.F “Drita”, edhe pse rivale, janë dy ekipe që na indentifikojnë neve si qytet sa i përket fushës së sportit dhe tifozërisë. Unë e di që ju gjendeni në një gjendje të vështirë materiale, por nuk guxoni të ndaleni. Duhet të vazhdoni rrugën dhe qëllimet e juaja, sepse bashkë do të gjejmë mundësi për përmirësimin e kësaj gjendje aktuale. Prandaj, edhe kam ardhur sot këtu, që të bashkëbisedojmë, ti ndajë me ju shqetësimet”, ka thënë Kadriu.
Kryetari i tifozëve te K.F “Gjilani”, Skender Shahini, ka falënderuar kryetarin Kadriu për takimin, ndërsa ka thënë se ndihen të lënë anash.
“Pavarësisht faktit që nuk kemi marrë ndihmë nga komuna, ne nuk jemi dorëzuar asnjëherë. Shpresojmë se në të ardhmen, do të ketë kushte dhe mundësi më të mira edhe për ne, sepse çdo kryetar i komunës duhet të ketë përgjegjësi ndaj shoqërisë tonë, pa bërë dallime”, ka thënë Shahini.
Ndërkaq Kadriu i AAK-së, i cili ka premtuar ndihmë për skifterat, ka thënë se ai vet është adhuruesi futbollit dhe sportit në përgjithësi. Prandaj sipas tij, sporti duhet të ec përpara.
“Nuk ka pengesë as fuqi që më ndalë në dhënien e ndihmës për sportin pa dallime. Sporti ka peshë dhe rëndësi të madhe për njerëzit, prandaj unë do të punojë që të sjellë ndryshime thelbësore në këtë drejtim”, ka thënë Kadriu.
Në këtë takimime tifozët e klubit të futbollit “Gjilani”, është premtuar ndihmë, ndërsa Kadriu ka thënë se ndihmë do të ofrohet për të gjithë sportin në Gjilan pa dallime. /2lonline/