/2L ONLINE/ – Në Gjilan në çdo moment mund të kemi riformatim të qeverisjes komunale, por dy partnerët kryesorë të koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), do të vazhdojnë të qeverisin akoma bashkë, e me ta do të mbeten edhe partnerët e vegjël. Kjo ishte konfirmuar edhe kah mesi i korrikut kur kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kishte takuar përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës, ku ishte konfirmuar vazhdimi i këtij partneritetit, madje ishte nënshkruar edhe deklarata për këtë çështje, nga kryetar i Komunës dhe i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, kryetari i AAK-së, Rexhep Kadriu, kryetarja e IQL VATRA, Gentiana Shabani, kryetarja e PD-së, Selvete Shurdhani, kryetari i KDTP-së, Kadir Hysein dhe kryetari i AKR-së, Ismet Hajdini:
Por, ajo çfarë tani përflitet është çështja se, riformatimi i shumëpërfolur që do të ndodhë, a do të sjellë ndryshime edhe në hisen e partnerëve të LDK?!. Ka zëra që më të vegjlit do të marrin tek tani hisen e premtuar edhe më parë, por që nuk iu ishte dhënë deri më tani, deri sa nuk përjashtohet mundësia që ndonjë partneri edhe t’i zvogëlohet ajo.
Rexhep Kadriu, kryetar i AAK-së, Dega në Gjilan, e cila është partnerja kryesore në bashkëqeverisje e LDK-së, thotë për 2L ONLINE, se bashkëqeverisja e Gjilanit nga LDK e AAK si partnerë kryesorë, si dhe partnerët e vegjël, do të vazhdojë tutje deri në përfundim të këtij mandati dhe kur është në pyetje hisja e AAK-së ajo nuk do zvogëlohet.
Kadriu, i cili mban postin edhe të nënkryetarit të komunës thotë se bashkëqeverisja ka qenë e frytshme deri më tani dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdohet edhe më tutje kështu, ndërkohë që tha se hisja e AAK-së ka funksionuar mirë dhe se ajo nuk do preket, pa përjashtuar mundësinë që riformatimi i qeverisjes lokale, të prekë edhe pjesën e AAK-së, por që mund të sjellë vetëm ndërrime të drejtorive, por assesi nuk do të ketë zvogëlim të hises.
Përndryshe, burimet e Portalit 2L ONLINE, thotë se AAK-ja , pas riformatimit mund ta drejton Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, në vend të asaj të Shërbimeve Publike që e ka aktualisht tani. Kuadri i saj drejton tani edhe Drejtorinë e Administratës e që mund të vazhdojë të jetë ashtu, derisa kuadri i AAK-së në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Drejtorisë Komunale të Shëndetësisë, pritet të largohet, për t’i lëshuar rrugë kuadrit të LDK-së apo partnerëve tjerë të saj.
Përndryshe, asnjë drejtor nuk ndihej i sigurt, tani e sa kohë, se do të vazhdojë në të njëjtën pozitë edhe pas riformatimit, ngase siç kishte theksuar dikur Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, “sigurisht se do të ketë ndryshime”, duke mos e përjashtuar kështu ndërrimin e asnjërit drejtor. /2L ONLINE/