Kadriu: Elbasan Shabani do t’i japë frymë të re degës së “Vatrës” në Gjilan
Kryetari i Lëvizjes “Vatra”, Kushtrim Kadriu, ka bërë të ditur se Elbasan Shabani pritet të udhëheqë me Degën e “Vatrës” në Gjilan.
Sipas Kadriut, vendimi është marrë gjatë mbledhjes së kryesisë, në kuadër të procesit të organizimit të brendshëm të strukturave të Lëvizjes “Vatra” nëpër disa komuna, për të qenë të gatshme për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ai e ka vlerësuar Shabanin si një aktivist të dalluar dhe me përvojë në qeverisjen lokale duke thënë se angazhimi i tij pritet të sjellë energji të re pune dhe reformim të degës në Gjilan.
“Lëvizja “Vatra” është në proces të krijimit të degëve politike në disa komuna, me qëllim të organizimit sa më të mirë dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme lokale”, ka deklaruar Kadriu.
Ndërkohë, ai ka paralajmëruar se së shpejti do të mbahet edhe Konventa e Lëvizjes “Vatra”, ku pritet të zgjidhen organet e reja drejtuese të këtij subjekti politik.
Kujtojmë se aktualisht “Vatra”, është pjesë e qeverisjes në Komunën e Gjilanit dhe Elbasan Shabani ushtron detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Administratë të Përgjithshme në Komunën e Gjilanit. /2LONLINE/
