Kadriu e Agushi u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e nesërme në Serbi
“Në vazhdën e aktiviteteve mobilizuese për zgjedhjet e nesërme në Serbi, sot në Gjilan pata kënaqësinë të takohem me Isa Agushin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Ndryshim në Anamoravë. Takimi ynë kishte për qëllim mobilizimin e qytetarëve të Kosovës Lindore që jetojnë në Kosovë, për të marrë pjesë në zgjedhjet e nesërme dhe për të ushtruar të drejtën e tyre të votës”, ka thënë Kushtrim Kadriu, kryetar i Lëvizjes Qytetare “Vatra”.
Ai bëri me dije se së bashku me Isa Agushin, bënë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë në këtë proces zgjedhor.
“Isa Agushi ka një lidhje të veçantë, jo vetëm politike, por edhe emocionale e atdhetare me çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore. Këtë përkushtim e ka dëshmuar ndër vite, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë edhe gjatë luftës çlirimtare. Pjesëmarrja në zgjedhje është një mundësi për ta fuqizuar zërin dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në Kosovën Lindore”, ka thënë Kadriu pas këtij takimi. /2LONLINE/
