(2LONLINE) – Ka nisur sot manifestimi në kujtim të dëshmorit të kombit, Zija Shemsiu, i cili po mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri. Nënkryetari i Komunës, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtorët komunal fillimisht kanë vendosur kurora lulesh para bustit të dëshmorit Shemsiu, më pas janë vënë kurora lulesh tek varri i dëshmorit si dhe i është bërë vizitë familjes Shemsiu.
Në emër të kryetarit të Komunës, ka folur nënkryetari Rexhep Kadriu, i cili e vlerësoi lartë figurën patriotike të dëshmorit Zija Shemsiu, duke shtuar se ne gjenerata e re do të punojmë pa ndalur në realizimin e ëndrrës së tij dhe do të përkulemi përjetësisht para varrit të tij.
“Si bashkëvendës dhe si nënkryetar i Komunës e kam pak vështirë të flas për Zijahun. Më duket vetja i vogël, karshi veprimtarisë dhe sakrificës së madhe të tij dhe familjes Shemsiu. Zijahu gjatë periudhës së viteve 1981-1983 ishte në ballë të protestave kudo në Europë, bashkë me shokët e tij, I cili nuk u ndal kurrë për të realizuar të drejtën tonë për liri”, ka thënë Kadriu.
“Sot pas 29 vitesh e kujtojmë me pietet të lartë figurën e Zijahut. Nga ai mësuam si duhet atdheu dhe si vdiset për atdhe. Zijahu dhe shokët e tij gjithmonë do të jenë udhërrëfyes për ne”, shtoi Kadriu.
Në emër të familjes ka folur Rexhep Shemsiu, i cili tha se krenohen që e patën në gjirin familjar një bir, që me gjithë dëshirë dhe vullnet, sakrifikoi gjithçka pati, duke mos kursyer edhe jetën e tij.
“Ende e kam të freskët kujtimin e atyre ditëve të marsheve të tij, prej një militant të paepur e të pa lodhur në kryerjen e detyrës së shenjtë për atdhe. Më duhet të them se në jetën time, syri im nuk ka parë luftëtar më trim dhe sypatrembur në përballje me pushtetin okupues serb. Kishte gjuhë të mprehtë, sy të mprehtë dhe trimëri të pashoqe në kryerjen e detyrave”, tha z. Rexhep Shemsiu.
Manifestimi i sotëm kushtuar dëshmorit Zija Shemsiu do të mbyllet në ora 17:00 me një akademi përkujtimore, e cila mbahet në teatrin e qytetit./2lonline/