Kadriu: Dinamikë në rritje, këtë fazë edhe pesë rrugë shtesë në “Dheun e Bardhë”
/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga drejtori i Shërbimeve Publike Naser Korça dhe drejtori i Prokurimit Sali Kqiku, kanë bërë inspektimin e punimeve për përgatitjen dhe asfaltim të rrugëve në lagjen “Dheu i Bardhë”, por edhe rregullimit të trotuarit dhe infrastrukturës tjetër, nga ku kanë paralajmëruar për rritje të dinamikës së punëve në investime në infrastrukturë publike.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu ka thënë se janë në vizitë të punimeve në rrugët në lagjen “Dheu i Bardhë” dhe “Motrat Qiriazi”, duke i njoftuar qytetarët e asaj pjese se me rritje të dinamikës në investime krahas këtij projekti do të investohen edhe pesë rrugë shtesë në këtë lagje.
“Kemi vizituar punimet që janë duke u bërë në këtë lagje dhe në rrugën “Motrat Qiriazi”, nga ku kemi informuar qytetarët e asaj pjese, që përpos investimeve dhe punimeve që janë duke u kryer në përgatitjet për asfaltim të rrugëve, rregullimit të trotuarit etj, në këtë pjesë do të investohen edhe pesë rrugë shtesë, sepse gjendja e tyre nuk është e mirë dhe kërkon intervenim të menjëhershëm. Me mbështetje dhe angazhim të kryetarit Haziri, investimet në Gjilan do të shënojnë një rritje më të madhe dhe me një dinamikë edhe më të shtuar, për t’u krijuar kushte më të mira e me standarde infrastrukturore qytetarëve tanë, kudo që ata gjende”, ka thënë nënkryetari Kadriu me rastin e vizitës së përbashkët që u bëri këtyre rrugëve.
Vlera e kontratës në rrugën “Motrat Qiriazi”, është rreth 90 mijë euro.
Ndryshe, Komuna e Gjilanit është duke shfrytëzuar kohën e verës për investime në infrastrukturë, në mënyrë që dinamika e punimeve të jetë në maksimumin e mundur gjatë periudhës kur koha nuk është pengesë për të investuar në terren. /2L ONLINE/
