Kadriu: Bashkëpunimi ndërkufitar i rëndësishëm për dy komunat Gjilan-Çair
/2L ONLINE/ – Në kuadër të projektit për bashkëpunim ndërkufitar “Valorizimi i zejeve tradicionale dhe potencialet e bizneseve socio-ekonomike në Çair dhe Gjilan” dje është mbajtur konferenca e parë në Komunën e Çairit me temën “Afirmimi dhe popullarizimi më i madh i zejeve dhe krijimit të modeleve për qëndrueshmërinë e tyre”.
Në këtë ngjarje, në emër të kryetarit Haziri, ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri, sikurse edhe përfitues zejtarë të komunës së Çairit.
Fokusi kryesor i konferencës janë zejet dhe rëndësia e tyre në shoqërinë bashkëkohore dhe potenciali i tyre në drejtim të zhvillimit të ndërmarrësisë sociale.
Në kornizë të këtij projekti Komuna e Gjilanit ndau 28 grante, mjete të pakthyeshme, për renovimin e fasadave të hapësirave punuese per përfituedsit.
Nenkryetari i Komunes së Gjilanit, Rexhep Kadriu, mes te tjerash tha se ky projekt ka kontribuar që përmes mundësisë për ngritjen e kapaciteteve të tyre dhe granteve të vogla, t’u japim një “infuzion” apo ndihmë zejtarëve të Gjilanit, që të zhvillohen dhe të ruajnë traditën e tyre që e kanë trashëguar ndër vite.
Kadriu theksoi se një nevojë të cilën e kemi identifikuar gjatë këtij projekti është krijimi i shoqatës së zejtarëve që është, gjithashtu, duke u punuar për ta themeluar sa më shpejtë.
“Ajo që kanë nevojë zejtarët është edhe pjesa e dukshmërisë apo e marketingut, ku tani jemi në fazën e përgatitjes finale që t’i vendosim kioskat interaktive në disa pika në qendër të qytetit të Gjilanit, e që do të jenë pika informuese për qytetarët dhe turistët për lokacionet e zejeve në komunë”, ka thënë Kadriu.
Nënkryetari Kadriu, gjithashtu, ka theksuar se kemi funksionalizuar edhe Info Qendrën e cila është e paraparë me projekt që do të jetë pikë referente për të gjitha informatat për zejtarët, për të shtuar se tani jemi edhe në finalizim edhe të krijimit të hapësirave të reja punuese për zyrtarët komunal, duke ju ofruar përmirësim të kushteve të punës brenda objektit ekzistues.
Poashtu, nënkryetari Kadriu, në emër të kryetarit Haziri i ka dhuruar kryetarit të Çairit, Izet Mexhiti, flamurin e Republikës së Kosovës, i punuar nga një zejtar përfitues i grantit.
Nga ana e tij, Bekim Neziri, ministër i ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, ka deklaruar se përkrahja e zejeve si simbol tradicional i frymës së ndërmarrësisë të këtyre hapësirave është edhe një nga prioritetet e Ministrisë së ekonomisë të Republikes së Maqedonisë.
“Zhvillimi i frymës së ndërmarrësisë, veçanërisht tek të rinjtë, është një inspirim jashtëzakonisht i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë nacionale. Pikërisht tek zejet, kjo frymë e ndërmarrësisë është e gjallë dhe ne nëpërmjet programeve të ndryshme kemi dhënë përkrahje konkrete për zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm. U bëjë apel të rinjve që të mendojnë sa më tepër për potencialin e zejeve dhe të inkurajohen për të filluar këto biznese“, theksoi ministri Neziri.
Ndryshe nga ky projekt, në Komunën e Gjilanit kanë përfituar 28 biznese me një shumë prej maksimum 2 mijë euro, apo 40 mijë euro në total, duke përfshirë këtu përfitues të shumtë nga zejet si zdrukthëtar, rrobaqepës, farkëtar, këpucëtar, argjendar dhe profile të artizanateve të tjera, ku prej tyre, 40% e përfituesve të përzgjedhur janë biznese të menaxhuara nga gratë, dhe komunitete tjera si romë dhe turq.
Projekti për përkrahjen e zejeve është përkrahur nga zyra e Bashkimi Europian në Kosove dhe Maqedoni dhe është në kuadër të programit IPA 2014. /2L ONLINE/
