/2L ONLINE/ – Kushtrim Kadriu, kreu i Lëvizjes “Vatra” me seli në Gjilan, që përfaqëson interesat edhe të banorëve të Luginës, ka kritikuar anëtarët e Kuvendit Komunal të Gjilanit që pak apo pothuajse fare nuk trajton çështje që kanë të bëjnë me qytetarët e luginës, të dëbuar nga trojet e tyre, por që jetojnë e veprojnë në Gjilan.
Kadriu ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se mungon numri i saktë i banorëve të dëbuar dhunshëm nga trojet e tyre në Luginë, e që jetojnë tani në Gjilan, pasi një regjistrim të tillë nuk e ka bërë deri më sot askush, por se supozohet të jenë mbi 11 mijë. Numri më i madh i të dëbuarve është bërë në vitin 1999 e këndej edhe atë nën dhunën e pushtetit serb. Përndryshe, në këtë komunë jetojnë edhe një numër i madh i qytetarëve që me prejardhje janë nga Kosova Lindore, por që ndër vite kanë jetuar në këtë komunë.
Kadriu thotë se sidomos, pjesa e të dëbuarve të vitit 1999, kanë probleme më të mëdha për shkak të mos integrimit. Atyre u mungojnë dokumentet e identifikimit të cilat i pamundësojnë qasje në sistemin shëndetësor, arsimor, të punësimet e pothuajse në çdo fushë të jetës.
Problemi i tyre rritet edhe për faktin se tani Serbia po e vazhdon fazën e çregjistrimit duke i lënë këta banorë pa asnjë shtetësi, pasi atyre po u merret dhunshëm ajo që kanë nga Serbia, kurse Kosova nuk po ua jep atë që e meritojnë edhe pse ata janë këtu tani e 17 vite dhe i plotësojnë të gjitha kriteret.
E, kur jemi te Kuvendi Komunal i Gjilanit që përbëhet nga 35 anëtarë të subjekteve të ndryshme politike, Vatra nuk ka përfaqësim, pasi diku një anëtar që kishte në të falë votave të fituara, ka braktisur këtë subjekt dhe tani vepron aty si i pavarur. Por, Kadriu hatrohet në të gjithë asamblistët për mostrajtim të çështjeve dhe problematikave të banorëve të luginës që jetojnë në Gjilan, por mbi të gjitha atij i ngel hatri më shumë në ata që me prejardhje janë të asaj ane, bile vlerësohet se edhe qytetarët e asaj ane me të drejtë vote i kanë mbështetur për të ardhur aty ku janë sot, e të tillë ka në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Bile, Kadriu thotë se ka të tillë që edhe “marrohen” për të treguar prejardhjen e tyre se janë nga Kosova Lindore. “Mund të thotë dikush që disa problematika të mëdha për këtë kategori nuk janë kompetencë e komunave, megjithatë ka plotë çështje që mund të trajtohen, së paku të diskutohen dhe të sensibilizohet opinione, por kjo deri më tani, nuk është bërë ose është bërë shumë sipërfaqësisht, pa prodhuar ndonjë efekt pozitiv”, thotë Kadriu. /2L ONLINE/