Kadriu ankohet për pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura dhe mos reagimin e institucioneve perkatëse
Kushtrim Kadriu, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit ka ngritur shqetësimin e tij se në Gjilan, në ambientet e mbyllura, në të shumtën e rasteve, nuk po ndalohet pirja e duhanit dhe është bërë pothuajse e pamundur të dalësh për një kafe nga tymi i tmerrshëm, ndërkohë që institucionet përkatëse dhe përgjegjëse për me e zbatua ligjin që e ndalon pirjen e duhanit brenda hapësirave të mbyllura, nuk po reagojnë.
“A ka mbetur ndonjë inspektor në këtë qytet që e ndalon pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura? A e dini se ligji po shkelet hapur? Në shumicën e qyteteve të Kosovës, një gjë e tillë nuk tolerohet, ndërsa në qytetin tonë është bërë pothuajse e pamundur të dalësh për një kafe nga tymi i tmerrshëm i duhanit”, ka thënë Kadriu i Levizjës Qytetare “Vatra”.
Ai ka pyetur se ku janë inspektorët, ku janë institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit?!
“Sinqerisht, që nga nesër do të konsultohem me avokatë të vyer të qytetit tonë për të shqyrtuar mundësinë e nisjes së procedurave ligjore ndaj kësaj katrahure në qytetin tonë”, ka thënë kuvendari Kushtrim Kadriu. /2LONLINE/
