Kadriu i AAK-së: Stop “prishtinalive” që e synojnë Gjilanin

Kadriu i AAK-së: Stop “prishtinalive” që e synojnë Gjilanin

Rexhep Kadriu, kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në garën për kryetar të komunës së Gjilanit ka thënë për Portalin 2LONLINE, se ka ardhur koha që qytetarët gjilanas t’i thonë stop, atyre që pretendojnë ta drejtojnë Gjilanin, e që në fakt jetojnë në Prishtinë.

I bindur se do t’i fitojë këto zgjedhje dhe do të jetë në krye të Gjilanit, Kadriu ka thënë se me të, si kryetar komune, Gjilani do ta ketë një fytyrë krejt tjetër, do të jetë një Gjilan i qytetarëve, një Gjilan i zhvilluar dhe prosperues për qytetarët e saj.

Duke aluduar në kundër kandidatët e tij: Lutfi Haziri (LDK), Zenun Pajaziti (PDK) e Sami Kurteshi (Vetëvendosje), Kadriu ka thënë se nuk munden më ata që jetojnë në Prishtinë dhe mendjen e kanë atje, të vijnë e të pretendojnë ta drejtojnë Gjilanin nga pozita e të parit të Komunës.

Kadriu ka thënë se Gjilanit i nevojitet dikush që e ka përkushtimin qind për qind për këtë komunë dhe qytetarët e saj dhe këtë mund ta bëjnë vetëm ata që japin gjithçka nga vete.

Kadriu që drejton Degën e AAK-së në Gjilan dhe që aktualisht është edhe nënkryetar komune, pretendon se pikërisht është ai personi i duhur që mund t’ia sjellë ndryshim dhe një fytyrë të re Gjilanit, një komune që do ketë zhvillim dhe prosperim me projekte të shumta të realizuara në të mirë të qytetarëve.

KOMENTE