DYLON

Kadri Rahimaj: Master Plani për “Bahçen”, hap drejt një Kamenice më të gjelbër dhe moderne

Kadri Rahimaj: Master Plani për “Bahçen”, hap drejt një Kamenice më të gjelbër dhe moderne
Avatar photo Redaksia

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka prezantuar vizionin e ri për zhvillimin e hapësirës së njohur si “Bahçe”, përmes një Master Plani që synon ta shndërrojë këtë zonë në një hapësirë moderne rekreative, turistike dhe ekonomike për qytetin.

Sipas Kryetarit Rahimaj, ky plan nuk është vetëm një dokument teknik, por një premtim për një qytet më të jetueshëm, më të gjelbër dhe më modern për qytetarët e Kamenicës.

EkoHigjiena

“Master Plani parasheh krijimin e më shumë hapësirave të gjelbra, përfshirë parqe dhe zona rekreacioni ku qytetarët dhe fëmijët mund të kalojnë kohë cilësore. Po ashtu projekti përfshin ndërtimin e infrastrukturës moderne për lëvizje, si shtigje për ecje, vrapim dhe biçikleta, brenda një zone tërësisht të gjelbër”, ka thënë Rahimaj.

Sipas tij në kuadër të këtij plani parashihet edhe zhvillimi i balancuar urban, me ndërtime që respektojnë identitetin e ri të qytetit, si dhe krijimi i hapësirave për biznese dhe turizëm që pritet të ndikojnë në gjallërimin e ekonomisë lokale.

“Master Plani është hartuar pas konsultimeve me qytetarët dhe është prezantuar në tri dëgjime publike. Sipas projektit, në një sipërfaqe prej rreth 6 hektarësh do të krijohen atraksione të ndryshme, përfshirë një kopsht botanik, muze të natyrës, liqen, kullë vrojtuese, shesh të kërpudhave, zonë për biznese dhe gastronomi, hotel, kënde për fëmijë dhe fusha sportive”, u shpreh i pari i Kamenicës.

Rahimaj theksoi se përmes këtij projekti synohet ndërtimi i një qyteti që respekton të kaluarën dhe mirëpret të ardhmen me vetëbesim, duke e bërë Kamenicën një vend ku qytetarët krenohen të jetojnë.  /2LONLINE/