Kadri Rahimaj: 132,197 euro inventar për institucionet arsimore në Kamenicë
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), për pranimin e inventarit në vlerë prej 132,197 eurosh, i cili do të shërbejë në përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore të komunës.
Në kuadër të këtij memorandumi, inventari do të shpërndahet në pesë institucione arsimore: Institucioni parashkollor në Koretin; Institucioni parashkollor “Filizat” në Kamenicë;SHFMU “Sejdi Kryeziu” në Roganë; IAAP “Andrea Durrsaku” në Kamenicë dhe Gjimnazi “Ismail Qemali” në Kamenicë.
Sipas të parit të komunës, ky inventar do të kontribuojë në krijimin e kushteve më të përshtatshme për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor, duke mbështetur punën e mësimdhënësve dhe duke përmirësuar ambientet ku fëmijët dhe të rinjtë zhvillojnë mësimin.
“Komuna e Kamenicës vazhdon të angazhohet për avancimin e infrastrukturës dhe kushteve në institucionet arsimore, me synimin që nxënësit dhe fëmijët të kenë hapësira më funksionale dhe më të përshtatshme për edukim dhe mësimnxënie”, ka thënë kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj. /2LONLINE/
