Kaçaniku do të marr pjesë në samitin One Young World

(2LONLINE) – Organizata Konsumatori ju njofton se Sekretari i saj për Punë të Jashtme, Senton Kaçaniku, do të përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin më të madh dhe më prestigjioz botëror për të rinj nën 30 vjeç, samitin One Young World i cili mbahet nga datat 2 deri 6 tetor 2013 në Johannesburg të Afrikës së Jugut.
Ky samit ka për synim grumbullimin e të rinjve më me ndikim nga e tërë bota si delegatë të shteteve të tyre, dhe nga delegatët pritet që të përcaktojnë standarde të reja globale mbi temat të cilat kanë rëndësinë më të madhe për gjeneratën e re të liderëve.

Gjatë samitit do të shtjellohen tema të ndryshme nga lidershipi e qeverisja, papunësia e të rinjve, e deri tek zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, barazia sociale, etj.

Samiti One Young World shquhet për pjesëmarrje si këshilltarë të delegatëve, dhe si mysafirë, të shumë emrave të njohur ndërkombëtarisht si në diplomaci ashtu edhe në fusha tjera, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe figura si Bill Clinton, Bernard Kouchner, Kofi Annan, Desmond Tutu, dhe drejtorët ekzekutivë të korporatave globale si L’Oreal, Unilever, Barclays, etj.

One Young World është samit “invitation-only”, do të thotë që pjesëmarrja u lejohet vetëm personave të ftuar nga fondacioni OYW, dhe interesim për pjesëmarrje nga Kosova kanë shprehur mbi 2000 të rinj.

Pjesëmarrja e Kaçanikut në këtë samit njëherësh shënon pjesëmarrje për herë të parë të një delegati shqiptar, dhe gjatë ceremonisë së hapjes së samitit ai është ftuar që në mënyrë ceremoniale të ngrisë flamurin e Republikës së Kosovës.

Poashtu Kaçanikut si delegat në këtë samit i është lejuar hyrja në shtetin e Afrikës së Jugut pa vizë, dhe nga ana e organizatorëve i është siguruar bursë e plotë për të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes, udhëtimit dhe akomodimit.

Senton Kaçaniku, si delegat që do të përfaqësojë jo vetëm Organizatën Konsumatori, por edhe Republikën e Kosovës, në këtë samit ka për synim të angazhohet aktivisht në promovimin e Republikës së Kosovës si shtet të përshtatshëm për bashkëpunim ekonomik para përfaqësuesve të diplomacisë dhe bizneseve nga shtetet e zhvilluara, dhe poashtu të kërkojë nga ata mbështetje për uljen e papunësisë së të rinjve përmes skemave të bursave për shkollim dhe granteve për ndërmarrës të rinj./2lonline/

KOMENTE