Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim.
Pas homazheve, kryeministri Isa Mustafa, vlerësoi lartë punën dhe kontributin e palodhshëm të Presidentit Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Mustafa theksoi se angazhimi i Presidentit Ibrahim Rugova për shtetndërtimin e Kosovës, por edhe lidhjet e fuqishme që ka krijuar me vendet mike, sollën deri te liria dhe pavarësia të cilën po e gëzojmë sot.
“Sot dolëm me kabinetin qeveritar t’i bëjmë nderime Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e 10-vjetorit të shkuarjes së tij në amshim. Qeveria e Republikës së Kosovës, sikurse edhe të gjitha institucionet tjera respektojnë fuqishëm veprën dhe kontributin e presidentit Rugova në shtetndërtimin Kosovës, në miqësinë që ka krijuar ai me të gjitha vendet mike dhe në të gjitha proceset që na kanë sjellë deri këtu, që Kosova sot të jetë shtet i pavarur, të jetë shtet sovran, shtet i pranuar nga mbi 110 vende anekënd botës dhe që rinia dhe populli i Kosovës sot e gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e saj”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka çmuar lart përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike të Presidentit Ibrahim Rugova për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Jemi sot së bashku me kryeministrin, siç do të jenë të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për të nderuar dhe vlerësuar me respektin më të lartë Presidentin e parë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për vlerat euroartlantike që i ka vendosur në skenën politike kosovare, për kontributin e tij për rendin demokratik, perspektivën euroatlantike, për lirinë e vendit. Gjithashtu për të gjitha përpjekjet e gjithanshme politike, institucionale dhe akademike”, tha zëvendëskryeministri Thaçi.