/2L ONLINE/ – Raporti i Prokurimit për nëntë mujorin e këtij viti dhe i cili u prezantua nga menaxheri i kësaj njësie, nuk është real dhe fshehë gjendjen dhe problemet e mëdha që ka Prokurimi në menaxhimin e procedurave dhe shpenzimin e pakontrolluar të buxhetit komunal. (shih shkrimin: Kqiku: Nga monitorimi 9-mujor i KDI-së, Gjilani është shpallur Komuna më e mirë në rregullsinë e prokurimit).
Kështu shprehet Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së , sipas të cilit, raportet e institucioneve shtetërore, profesionale dhe kompetente kanë dhënë vlerësime krejt tjera prej KDI, menaxherit të Prokurimit dhe komunës së Gjilanit.
Rashiti ka thënë se problemet serioze që ka sot Prokurimi në Gjilan, po i shkaktojnë dëme të mëdha buxhetit komunal me tendere dhe kontrata joligjore, mosrespektim të procedurave ligjore, pa mbikëqyrje profesionale, cilësi shumë të dobët në realizimin e projekteve dhe qëndrueshmëria e investimeve është shumë jetëshkurtër.
“Njëra nga shkeljet më të mëdha ligjore që po bënë Prokurimi në Gjilan, është mosrespektimi i procedurave të prokurimit. Ka shumë projekte në Gjilan të cilat po tenderohen dhe kontraktohen pas kryerjes së punëve dhe shërbimeve nga ana e operatorëve ekonomik. Hiq më larg se dje janë bërë veprime të tilla jo ligjore dhe jo procedurale, ku ende pa u nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik, ka filluar shpërndarja e farës për mbjellje vjeshtor”, ka thënë Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, edhe projekti i manifestimit “Ditët e Mërgatës” është tenderuar dhe kontraktuar një muaj pasi që është realizuar, e më keqja është se dyshohet edhe për keqpërdorime, ku i është dhënë kompanisë “Gishtat” nga Prishtina, përmes kuotimi.
Komunës së Gjilanit i janë anuluar dy procedura të dhënies së tenderëve nga Komisoni Rregullativ i Prokurimit Publik në Prishtinë, sepse janë bërë shkelje serize ligjore dhe procedurale.
Sipas Rashitit, ka shumë tenderë që po jepen përmes kuotimit deri në vlerën nën 10 mijë euro, për të njëjtën punë apo shërbim. Këtë vlerësim e ka dhënë edhe Auditori i Përgjithshëm i cili ka konstatuar se komuna e Gjilanit ka dhënë deri në 6 tender për të njëjtën qëllim, vetëm për t’i ikur procedurave të hapura dhe për t’i favorizuar disa nga operatorët ekonomik, e që janë të lidhura me zyrtarë komunal dhe me pushtetin qeverisës në Gjilan.
“Andaj, menaxheri i prokurimit nuk ka vend për tu krenuar me punën dhe udhëheqjen e tij në Prokurim sepse gjendjen e ka shumë të keqe, por duhet të përmirësohet shumë në drejtim të respektimit të ligjit të prokurimit, me qëllim të shpenzimit real dhe pa e kepërdorur buxhetin komunal nga tenderët e kundërligjshëm”, ka thënë Riad Rashiti , anëtar i Kuvnedit komunal në Gjilan, nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/