Ka përfunduar trajnimi i avancuar për Kërkim-Shpëtim
Në kuadër të aktiviteteve të Qendrës Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), në Komandën e Gardës Kombëtare, është zhvilluar trajnimi i avancuar për Kërkim-Shpëtim me qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëtarëve në fushën e operacioneve të Kërkim-Shpëtimit.
Trajnimi dyjavor përfshiu një program të avancuar teorik dhe praktik, i fokusuar në përvetësimin dhe aplikimin e teknikave të specializuara për operim në terrene të vështira. Në kuadër të tij u zhvilluan tema si lidhjet dhe sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimi i viktimave, teknikat e alpinizmit, si dhe procedura dhe teknika të tjera të rëndësishme për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në përmbyllje të programit u realizua një ushtrim 72-orësh në zonën e Rugovës, gjatë të cilit pjesëmarrësit aplikuan në kushte praktike dhe të simuluara operacionale njohuritë dhe teknikat e zhvilluara gjatë trajnimit. Ushtrimi synoi vlerësimin e aftësive individuale dhe ekipore, koordinimin në terren, si dhe reagimin ndaj skenarëve të ndryshëm të kërkim-shpëtimit.
Në përfundim të trajnimit, 16 pjesëtarë u certifikuan me sukses, duke përmbyllur një program intensiv të përgatitjes profesionale dhe praktike.
Zhvillimi i trajnimeve të tilla kontribuon në ngritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e gatishmërisë operacionale dhe avancimin e standardeve në fushën e kërkim-shpëtimit, duke mundësuar reagim më të organizuar dhe profesional në situata emergjente dhe në terrene të vështira.
Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit për Kërkim-Shpëtim mbetet e përkushtuar në zhvillimin e vazhdueshëm të kapaciteteve dhe aftësive profesionale të personelit, përmes trajnimeve të avancuara dhe ushtrimeve praktike të bazuara në skenarë operacionalë. /2LONLINE/
